Bardhi letër Trupit Diplomatik në Tiranë: Rama minoi jetën parlamentare, zhvillime të rënda rrezikojnë rendi kushtetues

Bardhi letër Trupit Diplomatik në Tiranë: Rama minoi jetën parlamentare, zhvillime të rënda rrezikojnë rendi kushtetues

16:28, 18/09/2025

Zbardhet letra që Grupi Parlamentar i PD i ka nisur Trupit Diplomatik në Tiranë pas seancës së sotme plenare ku maxhoranca votoi kabinetin e ri dhe programin qeverisë për 4 vitet e  ardhshme,  brenda 5 minutave, pa debat parlamentar, duke iu mohuar të drejtën kushtetuese opozitës.

 

Në mënyrë antikushtetuese, Kryetari i Kuvendit miratoi një urdhër politik të ardhur nga Kryetari i grupit të shumicës, duke mbyllur seancën plenare me miratimin e programit politik dhe të kabinetit të ri qeveritar pa debat politik, në shkelje të nenit 97 të Kushtetutës dhe në cenim të rëndë të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit.

Mohimi i të drejtës për debat parlamentar, shkeljet e përsëritura të ligjit themelor të vendit dhe të rregullave të brendshme të Kuvendit tregojnë qartë një minimin e qëllimshëm të rendit kushtetues dhe uzurpim të autoritetit legjitim vendimmarrës të institucioneve demokratike në vend.

Në këtë situatë të paprecedentë, shprehim me shqetësim minimin e jetës parlamentare, mohimin e së drejtës kushtetuese të deputetëve për debat politik dhe, mbi të gjitha, shpërfilljen e vullnetit sovran të qytetarëve shqiptarë, duke tentuar asgjësimin total të organit më të lartë përfaqësues të vullnetit të tyre politik.

Ne vërejmë me shqetësim të thellë erozionin e vazhdueshëm të rolit të Kuvendit si institucioni më i lartë vendimmarrës në Shqipëri. Zhvillimet e sotme treguan një plan të orkestruar nga Kryeministri Edi Rama për të provokuar hapur opozitën parlamentare dhe për ta reduktuar Kuvendin në një zgjatim të Këshillit të Ministrave, duke eliminuar kështu kontrollin parlamentar mbi shumicën dhe mbi ligjet e paraqitura për shqyrtim dhe miratim.

Për rrjedhojë, e ndjejmë për detyrë të informojmë komunitetin diplomatik të akredituar në Tiranë mbi këto zhvillime të rënda, të cilat rrezikojnë seriozisht demokracinë parlamentare dhe rendin kushtetues në Shqipëri.

Ju lutemi, Shkëlqesitë Tuaja, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco