Mbahet sot seanca e parë e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë

Mbahet sot seanca e parë e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë

07:20, 12/09/2025

Sot, më 12 shtator, zhvillohet seanca e parë e Legjislaturës së XI të Kuvendit të Shqipërisë, që del nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 maj.

Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe shënon hapin e parë të punës së parlamentit të ri për katër vitet e ardhshme.

Në Kuvend kanë nisur përgatitjet për seancën inauguruese të ditës së premte.

140 deputetët e legjislaturës së 11 do të hyjnë në Parlament paradite, teksa i mirëpresin rojet ceremoniale dhe himni kombëtar. Deputeti Llajo do të çelë seancën konstituuese dhe do të ngrihet një komision për verifikimin e mandateve.

Ai do të shqyrtojë dosjet e deputetëve të sjella nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, proces ky me natyrë burokratike. Derisa komisioni të bëjë punën e tij, deputetët e rinj do të largohen dhe do të rikthehen pasdite.

Në pjesën e dytë të seancës plenare, drejtuesi Llajo do të thërrasë një nga një emrat e 140 deputetëve për t’u betuar.

Më pas, mazhoranca socialiste do të propozojë emrin për kryetar Kuvendi, i cili u mësua një ditë më parë (11 Shtator) dhe është Niko Peleshi.

Komisioni do të shpallë kryetarin e zgjedhur të Kuvendit dhe në këtë moment, Llajo do t’i lirojë vendin drejtuesit të vërtetë të Parlamentit, i cili do të mbajë fjalën zyrtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco