SYRI TV/ Meta letër të hapur publike Ahmetajt: E vetmja mënyrë komunikimi në qeli

21:32, 03/07/2025

Sic premtoi, Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta nisi komunikimin me letra të hapura publike, si kundërpërgjigje ndaj masave represive ndaj tij në qeli.

Letra e parë e Metës ishte për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetajn, nga ku rrëfen detaje që nga arrestimi banditesk i tij, e deri tek ndalimi që i bëhet nga administrata e burgjeve për të takuar familjarët. Meta ndalet edhe tek arrestimi i ish-numrit 2 të qeverisë, Arben Ahmetajn, për të cilin thotë se është bërë ‘kokë turku’ për Djegësin.
Ashtu sic kishte premtuar, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka nisur komunikimin me letra të hapura publike si kundërpërgjigje ndaj masave represive ndaj tij nga administrata e burgjeve dhe institucionet e tjera shtetërore. Letra e parë e hapur ishte për ish-zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj. Që në nisje të letërës, Meta është ndalur tek rrëmbimi i tij banditesk nga njerëz me maska në mes të rrugës, duke rrëfyer spektakle dramatike të atij momenti.

‘Po kthehesha nga Prevalla dhe shoqëruesin dhe shoferin e Gardës e kisha lënë të rrinin me familjet e tyre për fundjavë. Kur shoh unë kapuçonët e zinj me automatikë drejt meje e duke ulëritur si të droguar: “Kriminel hajde me ne se jemi Policia”. Epo thashë unë, ngaqë këta kanë futur plot mallitë në polici dhe unë isha me bluzën e “Celtic FC” veshur dhe në vend të parë mos po u ngjaja me ndonjë kriminel dhe nuk e dinë se kush jam. “Jam Ilir Meta,” u thashë, ish-President i Republikës dhe ruhem nga Garda e Republikës. “Ti je kriminel,” – thanë kapuçonët e zinj, – “e do vish me ne te Policia se je i arrestuar”. “Shumë mirë,” – u thashë unë, – “ku e keni urdhër-arrestin?” “Çfarë urdhër-arresti do ti bandit,” – thanë ata. Vetëm kapuçonë të zinj, beni, maska të zeza e as numra identifikimi e asgjë tjetër. M’u kujtuan brigadat terroriste që rrëmbyen Aldo Moron se e kam parë edhe vendin atje në mes të Romës. Edhe ata me uniforma policie e rrëmbyen. Kur ata hynë me automatikë të rëndë nga para e mbrapa e kush të ulërinte më shumë, siç e ke parë. Pastaj më futën në një makinë me targa private. Epo thashë me vete më rrëmbeu banda e inceneratorëve ndaj nuk u duk edhe Policia.’

Më pas në rrëfimin e tij, Meta ndalet edhe tek ndalimet që i janë bërë nga administrata e burgjeve për të takuar familjarë dhe për të kryer aktivitete sportive.
‘Sa u ambientova unë filluan të më thonë, shiko se këtu janë kushtet e vështira ndaj po deshe shko në Fier ose në Durrës ose ku të duash.
“Mua,” – u them, – “kushtet më duken fantastike po inshallah ka palestër”.
“Ah jo,” – thanë, – “andej ka palestra, këtu ju”.
Bëra kërkesat unë e fatmirësisht ping-pongu u miratua ndërsa volejbolli jo.
“Është porosi nga lart për arsye sigurie,” – thanë.
E di ti i dashur beni, që ma hoqën edhe ping-pongun?
Më thërrasin para tre javësh para një komisioni tepër të gjerë dhe serioz.
“Komisioni njëzëri vendosi t’ju ndalojë ushtrimet e përbashkëta fizike.”
Largohem unë i dashur beni e bëhesha gati të takoja motrën me tre fëmijët pas 3 javësh.
Më kishte marrë malli për të katër, por sidomos për motrën e cila kujdeset edhe për të dy prindërit e sëmurë që nuk i kam parë prej 9 muajsh.
Kur hyj unë te dhoma e takimit ishin tre e jo katër. Mungonte Besari, djali.
“Po Besi,” – u them unë, – “ku është apo nuk e ka marrë malli?”
“Besi është përjashta,” – thanë.
“Po pse?”, – i pyes. “Po na thanë që nuk lejohen sipas rregullores të hyjnë 4 të afërm, por vetëm 3”. Pra për 8 muaj kishin shkelur rregulloren e burgut duke i lejuar të 4-ët të vinin. Ndërsa tani jo. Ndërkohë kanë 2 ditë më kanë bllokuar lidhjen në telefon me Tedi Blushin që është i vetmi i Partisë së Lirisë i regjistruar se të tjerët janë familjarët dhe avokatët. Po ka edhe më keq i dashur! E pe çfarë i bënë kolegut të tyre, Erionit? I futën edhe celularët dhe e përgjonin njëkohësisht. Shokë ideali, s’ke ç’tu thuash!’

Në letrën e hapur drejtuar Ahmetajt, Meta ndalet edhe tek arrestimi i ish-zëvendës kryeministrit, i cili, sic thekson ai, u bë ‘kokë turku’ për inceneratorin fantazmë.
‘Të kam paragjykuar kur mora vesh që u le fletë-arrestin në dorë dhe mendova kushedi ç’ka bërë tigri? Por kur pashë që donin të të bënin kokë turku për inceneratorin, të mirëkuptova. Ndërsa kur të dëgjova te Çim Peka në shkurt u binda që donin të të arrestonin për ato që s’ke pranuar të firmosësh e jo për pllakat dhe lavamanët e “padeklaruara”. Po je aktor i madh sidoqoftë! E mban mend takimin e fundit kur erdhe 5 minuta të merrje Dekretin si Ministër për Rindërtimin dhe Pandeminë? Kur më thoshe: “Po ti s’e ke idenë sa të do ai, etj. etj.” Ndërkohë ti e dije ndërkohë që ty të donte edhe më shumë se unë ndaj ua kishe deleguar firmat e tenderave të tjerëve që atëherë.’

Në fund të rrëfimit të tij, Meta thotë se do të ketë të tjera letra të hapura, si mënyrë për të denoncuar atë që e quan hakmarrje politike që po i bëhet edhe në qeli.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco