‘Zgjedhjet e 11 majit ishin farsë’/ Mimoza Hajdarmata: Qytetarët u shantazhuan me çelësat e banesave

17:49, 28/06/2025

E ftuar në një intervistë në Syri TV me moderatoren Eneida Ndoci, anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmata, foli në lidhje me atë që e cilëson si një farsë elektorale gjatë zgjedhjeve të 11 majit.

Ajo deklaroi se qytetarët u përballën me presion, frikë dhe shantazhe nga partia në pushtet, sidomos në zonat e prekura nga tërmeti, si njësia 6 në Kombinat. Sipas saj, procesi zgjedhor u manipulua përmes abuzimit me fondet e rindërtimit dhe mosdorëzimit të çelësave të banesave si formë presioni për të ndikuar votën.

“Në fakt kjo që ndodhi nuk është se nuk ishte e paralajmëruar nga PD. Gjatë gjithë fushatës elektorale, ne, i gjithë ekipi, qoftë drejtuesit politik, qoftë kandidatët e listës së hapur apo listës së mbyllur, gjatë kontakteve që ne kemi pasur me qytetarët duke prezantuar programin, kemi takuar qytetarë të trembur, të frustruar, të kërcënuar për të mos qenë të lirë për të dhënë votën aty ku ata do donin. Unë për vete kam parasysh këtu edhe fushatën, pjesën time të angazhimit.

Rasti i Kombinatit, njësisë 6, është e prekur jo vetëm nga tërmeti, por edhe nga abuzimi i partisë-shtet me atë çfarë bëri me fondet gjoja të rindërtimit, e cila jo vetëm që u zvarrit dhe u abuzua, por arriti deri aty sa të ishte një ndër elementët kryesorë me të cilët qytetarët u shantazhuan gjatë kohës së fushatës. Qytetarët ishin të trembur se nëse do të merrnin pjesë në takimet tona, do të deklaroheshin apo do të shkonin të votonin si të dyshuar nga ana e partisë-shtet që do votonin për opozitën, në këmbim të mosdhënies së çelësave të hyrjeve të cilat atyre u takonin. Shumë janë paraqitur të trembur, duke thënë: ‘ne nuk dalim dot krah jush, sepse mund të mos na e japin atë çfarë na takon’. Ky ishte një element që ne e kemi prezantuar dhe e kemi bërë publik gjatë gjithë kohës.” – tha Hajdarmata.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco