SYRI TV/ Shqipëria pa bujqësi dhe industri! Ekonomia e vendit mbahet nga ‘shërbimet’

15:14, 26/06/2025

Ekonomia shqiptare po humbet dy nga sektorët kyç të saj.  Të dhënat e fundit të INSTAT, tregojnë se Bujqësia dhe Industria në vetëm një dekadë kanë humbur gati gjysmën e kontributit të tyre në Prodhimin e Brendshëm Burto. Sipas INSTAT, sot ekonomia e vendit të ardhurat kryesore i siguron nga sektori i shërbimeve, ku vendin e parë e zë administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia që japin rreth 48.7 Për qind të të ardhurave. Ndërsa sektorët që dikur ishin motor i ekonomisë, bujqësia dhe Industria sot japin vetëm 25% të prodhimit të brendshëm bruto, nga rreth 42% që jepnin në vitin 2014.

Syri tv

Bujqësia dhe Industria, zbresin zyrtarisht nga podium si dy nga kontributorët kryesorë të ekonomisë së vendit, ndërsa vendin e tyre tashmë e zë sektori i shërbimeve, administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë. INSTAT ka publikuar ë dhënat për Produktin e Brendshëm Bruto për tremujorin e parë të vitit 2025, si dhe raportin përfundimtar për vitin 2023 dhe pjesërisht për vitin 2024. Nga të dhënat për tremujorin e parë të vitit 2025, rezulton se Bujqësia, Industria dhe Komunikacioni, janë tre sektorët që zënë peshë negative të të ardhurat në GDP. Konkretisht, Aktiviteti “Industri, Energji dhe Uji” kontribuoi me -0,66 pikë përqindje, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me -0,46 pikë përqindje dhe “Informacioni dhe Komunikacioni” me -0,07 pikë përqindje. Ndërsa të ardhurat kryesore në ekonomi sigurohen nga shërbimet, ndërtimit, taksës neto ndaj produkteve apo dhe pasuritë e paluajtshme, përbëjnë hyrjet kryesore në ekonomi.

Rënia e bujqësisë dhe industrisë si sektorët kryesorë që kontribuojnë në ekonmi, konfirmojnë përfundimisht se Shqipëria po kthehet në një vend konsumi pa prodhim. Në raportin final për vitin 2023 dhe pjesërisht për vitin 2024, struktura e Prodhimit të Brendshëm Bruto tregon se gati 48.7 përqind e të ardhurave i përkasin sektorit të Shërbimeve. “Industria” përbën 10,48% të PBB-së dhe ka shënuar ulje në terma realë 4,55%. “Ndërtimi” zë 11,92% dhe ka shënuar rritje me 4,52%. “Bujqësia, pyjet dhe peshkimi” përbën 15,45% të PBB -së dhe ka shënuar ulje prej -2,00% në terma realë. Nëse i krahasojmë me shifrat e vitit 2014, situata paraqitet edhe më dramatike. Një dekadë më parë, shërbimet zinin rreth 45.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo gati 2% më pak se në vitin 2024. Ndërkohë, në vitin 2014, industria dhe ndërtimi përbënin 21.5 përqind të prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa në vitin 2024 shifrat në sektorin e Industrisë janë përgjysmuar. Por rënia më e ndjeshme është ajo në sektorin e Bujqësisë. Teksa në vitin 2014, Bujqësia jepte rreth 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, kjo shifër në vitin 2024 ka rënë në nivelet e 15.45%, duke konfirmuar edhe njëherë se vendi po humb një nga sektorët kyç të ekonomisë së tij. Thënë ndryshe, sot bujqësia dhe industria të marra së bashku japin vetëm 25% të prodhimit të brendshëm bruto në ekonomi, nga rreth 42% që jepnin në vitin 2014.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco