Financoi vrasjen e Albi Bashaliut me 50 mijë euro - Arrestohet në Britani krahu i djathtë i Laert Haxhiut

Financoi vrasjen e Albi Bashaliut me 50 mijë euro - Arrestohet në Britani krahu i djathtë i Laert Haxhiut

19:05, 19/06/2025

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Njësinë për të Kërkuarit të Agjencisë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar, ka vënë në pranga 47-vjeçarin Lorenc Lala, një person i afërt me Laert Haxhiun.

Lala ndodhet në paraburgim në Britani dhe do të paraqitet sërish para Gjykatës së Ekstradimeve më 24 qershor. Autoritetet shqiptare e kërkojnë atë për akuzën e "konspiracionit për të kryer vrasje" dhe për përfshirje në një organizatë kriminale.

Sipas hetimeve të prokurorisë shqiptare, Lorenc Lala, i njohur edhe me pseudonimin Kristian Lala, akuzohet se ka financuar vrasjen e Albi Bashaliut në fshatin Gjocaj të Peqinit. Vrasja dyshohet të jetë kryer kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh, të cilat Lala ia ka dorëzuar Haxhiut, i cili më pas ka organizuar ekzekutimin përmes njerëzve të tij.

Në dosjen hetimore thuhet se krimi është realizuar nga Artan Tafani (i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë), së bashku me Lulzim Arapin, Bledar Berberin, Enrico Xhahysën dhe vetë Laert Haxhiun.

Lala konsiderohet një figurë kyçe në rrjetin kriminal që, sipas prokurorisë, ka vepruar me skemë të organizuar dhe motiv financiar. Ai mbetet në paraburgim për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe rolit të dyshuar në aktivitetin e grupit kriminal.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco