‘2 mln euro për të vrarë Erionin’ – I penduari vijon rrëfimin e krimeve në Elbasan, Alibej: Nuredin Dumanin e strehova në...

‘2 mln euro për të vrarë Erionin’ – I penduari vijon rrëfimin e krimeve në Elbasan, Alibej: Nuredin Dumanin e strehova në...

14:51, 10/06/2025

Në Gjykatën e Apelit të Posaçëm u zhvillua këtë të martë seanca e radhës në kuadër të procesit të bujshëm “Plumbi i Artë”. Në qendër të kësaj seance ishte dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë Erion Alibej, i akuzuar si drejtues i një organizate kriminale që vepronte në Elbasan, i përfshirë në disa vrasje për motive hakmarrjeje.

Alibej tregoi përpara trupës gjykuese përpjekjet e tij për të eliminuar fizikisht personat që ai dyshonte si të përfshirë në vrasjen e vëllait të tij Endrit Alibej, gjatë ngjarjes së njohur si “Masakra e Bradasheshit”, ku mbetën të vrarë edhe Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay.

Gjatë seancës foli për ofertat që vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja kishin bërë për kokën e tij. Alibej zbuloi se gjatë një bisede që Nuredin Dumani kishte bërë më Mikali Qosjan ky i fundit i kishte treguar një tavolinë plot me euro dhe i kishte thënë që kemi 2 mln euro për të vrarë Erion Alibej.

Erjon Alibej: Dumani ishte shpërngulur në Spille dhe ndodhej në një gjendje jo të mirë, ndaj vendosa ta marr në Elbasan. I kam blerë një shtëpi, e kam kompletuar, dhe para se të shpërngulja familjen e tij, fillimisht ka ardhur Nuredini. I kam thënë Sandër Bahos, dhe ai ka shkuar e ka marrë në dalje të autostradës. Fillimisht, Dumani ka qëndruar në shtëpinë e Sandrit.

Më pas morën një informacion për Talo Çelën, se strehonte Abedin Maman. Për të shkuar deri në atë fshat, Nuredini është angazhuar me disa djem nga Fushë-Kruja, njëri quhej Veri dhe tjetri Besi. Kanë bërë veprime tek një pulari, kanë hyrë brenda për të kapur Talon, por ai ka arritur të ikë. Më pas janë kthyer në shtëpinë e Sandër Bahos, ndërsa djemtë e Fushë-Krujës janë kthyer në vendin e tyre. Pas disa kohësh që Nuredini ka qëndruar në shtëpinë e Sandrit, e kam marrë në shtëpinë që i kisha blerë.

Nga fundi i prillit, më është afruar një djalë që quhej Endri Karaj dhe kërkoi të fliste me mua. Ai më shkruajti në një aplikacion dhe më tha se donte të fliste me mua Xhuljan Hoxha. I thashë se nuk isha në Shqipëri, megjithëse isha në fakt në shtëpinë time në Elbasan.

Lidha kontakt me Xhuljan Hoxhën, i cili më dërgoi foto të disa personave dhe më tha se Rigers Runaj po jepte të gjitha informacionet, dhe se ishte afër shtëpisë.

Pata shumë pak komunikim me të dhe i thashë se, kur të vija në Shqipëri, do ta takoja fizikisht.

Alibej: Nuredini ka qëndruar disa ditë në shtëpinë time dhe kemi folur për ngjarjet. Ka qenë koha e COVID-it, dhe dëshiroja që ai të lidhej me Dashnor Dumanin. I kam dërguar një aplikacion "Sky EÇ" për të komunikuar.

Aty qëndronte me një shok të tij në Gjermani, dhe i ka shpjeguar se çfarë kishte ndodhur me vrasjen e Endrit dhe xhaxhait të tij.

Më pas kemi lidhur kontakt me Mikael Qosjen nëpërmjet Elio Bitrit. Dumani i thotë Mikaelit se ai ishte pas vrasjes në Durrës. Mikaeli i dërgon një foto ishte një tavolinë e madhe me shumë euro mbi të.

Ai i thotë: “Kemi 2 milionë euro për të vrarë Erjon Alibej”. Ishte edhe një shënim me shkrim dore ku shkruhej data, muaji dhe ora.

Sipas Nuredinit, ai i thotë Mikaelit: “Unë dua gjysmën e lekëve dhe Talon si këmbim”. Mikaeli i përgjigjet: “Vrite Erjonin dhe unë të jap Talon”.

Mikael Qosja i thotë Nuredinit: “Pushka top të bëftë.” Dhe aty përfundon biseda e tyre.

Mbaj mend se kishte një foto të flamurit kanadez, por nuk mbaj mend emrin.

Alibej: Në atë periudhë po interesoheshim edhe për Bujar Çelën, vëllai i Talo Çelës. Këtë çështje e morën përsipër Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase. Nuk u realizua për arsye që nuk i di. Më vonë vendosëm të merreshim me Emiljano Ramazanin. Për Ramazanin kishim informatorë përveç Nuredinit, ishin edhe Elio Bitri dhe Xhuljano Hoxha. Arsyeja ishte se Emiljano Ramazani ishte aktiv në grupin e Çopjes dhe të Bujar Çelës.

Janë bërë disa përpjekje për ta ekzekutuar, por nuk është arritur na ka shpëtuar.

E dinim që Ramazani shkonte në palestër dhe vonohej. Edhe aty është tërhequr plani.

Ditën e vrasjes, sapo doli nga palestra, unë kisha informator.

Henrik Hoxhaj ishte drejtuesi i makinës dhe Skerdi Tase ekzekutori.

E pritën në rrugën kryesore pranë pallatit ku do të hynte Emiljano Ramazani.

Sapo erdhi Ramazani, zbriti Skerdi me një armë TT. Pas vrasjes, makina doli nga Elbasani dhe arma u hodh pas shtëpisë së Bujar Çelës.

Alibej: Për vrasjen e Emiljano Ramazanit kam qenë unë i interesuar dhe unë e kam propozuar. Skerdi Tase ishte lidhje e Henrik Hoxhajt. Informacionet që merrja nga Xhuljani ishin të shumta. Ditën e ngjarjes, më tha vendndodhjen e Emiljanos në atë moment. Ai kishte bërë vëzhgime si te palestra ashtu edhe te shtëpia.

Xhuljano ishte në dijeni se unë do ta vrisja Emiljano Ramazanin. Kam kryer edhe pagesë për këtë rast. Më kujtohet që kam paguar 75 mijë euro, aq sa më kishte thënë Nuredini. Kam dërguar Arsen Precin te rrethrrotullimi i TEG-ut. Ka qenë me një taksi, ku ishte një vajzë që e kishte dërguar Henrik Hoxhaj./Fatjon GJINAJ-SYRI TV

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco