Për të frenuar ndotjen akustike dhe shkeljet që lidhen me aktivitetet tregtare në zonat turistike, janë kryer kontrolle në disa subjekte në qarkun e Vlorës.
Në Ksamil, një 33-vjeçar është proceduar penalisht dhe administrativisht pasi në lokalin e tij u konstatua muzikë mbi normat e lejuara, punonjës të padeklaruar dhe mungesë të lëshimit të faturave tatimore.
Njofitmi i plotë:
DVP Vlorë/Kontrolle në të gjithë territorin e qarkut, për parandalimin dhe evidentimin e ndotjes akustike.
Prishi qetësinë publike duke vënë muzikë mbi normat e lejuara, në lokalin e tij, në Ksamil, procedohet penalisht dhe administrativisht 33-vjeçari.
33-vjeçari kishte punësuar në subjektin e tij, disa punonjës, pa i deklaruar në organet përkatëse, si dhe nuk lëshonte fatura tatimore.
Në kuadër të masave të shtuara për ruajtjen e qetësisë publike dhe për mbrojtjen nga ndotja akustike në zonat turistike, strukturat e DVP Vlorë kanë intensifikuar në gjithë qarkun, monitorimet në subjektet që zhvillojnë veprimtari me muzikë të lartë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal, në Ksamil, konstatuan se niveli i muzikës i tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj.
Ndaj këtij subjekti, me pronar shtetasin A. M., u vu masa administrative, bazuar në legjislacionin në fuqi.
Gjatë verifikimeve të mëtejshme rezultoi se ky shtetas kishte punësuar në subjektin e tij, disa punonjës, pa i regjistruar në organet kompetente, si dhe nuk lëshonte fatura tatimore.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 33 vjeç, banues në Ksamil.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre.
Të vendosur për një sezon turistik të qetë dhe të sigurtë!
© SYRI.net