Gazetari Elkier Bushkolaj, i ftuar në emisionin Task Force në Syri TV me moderatore Sonila Meço, hodhi dritë mbi përkeqësimin e rendit dhe sigurisë në veri dhe jug të vendit, duke theksuar rikthimin e hasmërive në Mirditë dhe zhdukjen e të rinjve në Vlorë si pasojë e kanabizimit dhe kapjes së institucioneve ligjzbatuese.
Sipas Bushkolajt, drejtësia është bërë inekzistente në zonat me prani të lartë të grupeve kriminale, ndërsa komisariatet dikur elitare janë degraduar në “posta policie”.
“Jo më larg se të dielën në orët e para të mëngjesit u shënua një vrasje në Lezhë, hasmëri mes dy familjeve mirditore. Në Mirditë pas '97, u rikthyen vrasjet masive pas lulëzimit të kanabizimit dhe sot është një ndër qytetet më të përgjakura në Shqipëri. Jo se Mirdita nuk i do organet ligjzbatuese, por kur shohin në media dhe lexojnë sesi drejtorët e policisë kishin parcela me kanabis, cilës drejtësi do duhet t’i besosh për të zbardhur këto ngjarje kriminale.
Sot e kësaj dite janë edhe shumë të rinj të zhdukur në Vlorë që janë bërë kurban të kanabizimit. I gjithë zinxhiri komandues i ish-drejtorisë së policisë së Vlorës, për shkak të favorizimit të grupeve kriminale. Materialet erdhën nga Italia, sepse për autoritetet shqiptare nuk do të merrej asnjë masë. Nëse shikon hartën që është publikuar sot për zonat që do mbillen me kanabis, aty vëmë re lehtësisht dy gjëra. Asnjë nga ato zona nuk ka më prokurori, për shkak të hartës së re gjyqësore. Komisariatet e policisë që dikur kanë qenë ndër më elitaret në vend sot janë kthyer në posta policie.” – tha Bushkolaj.
© SYRI.net