Gazetari Enton Abilekaj, i ftuar në një intervistë në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, ka komentuar situatën politike në vend, duke u ndalur te sjellja e pushtetarëve ndaj qytetarëve. Ai theksoi se mohimi i të drejtës politike është baza dhe burimi i gjithçkaje, dhe sipas tij, kjo përbën mungesën e frikës nga qytetari në një sistem jodemokratik.
Duke iu referuar rastit në Gramsh, Abilekaj tha se “ata që ju helmuan fëmijët në Gramsh dhe u bërtet kryetari i bashkisë duke u thënë ‘dilni po deshët, se ua tregoj unë’, janë njerëz që kanë frikë nga kryetari i bashkisë dhe jo anasjelltas”. Ai shtoi se kjo ndodh sepse kryetari i bashkisë nuk ka problem me votën e tyre.
Sipas gazetarit, në një demokraci, është kryetari i bashkisë ai që ka frikë nga qytetarët, ndërsa në diktaturë ndodh e kundërta – qytetarët kanë frikë nga pushteti. “Në një demokraci pushteti ka frikë nga qytetarët, në diktaturë qytetarët kanë frikë nga pushteti”, tha ai.
Abilekaj theksoi se kur një kryetar bashkie u flet qytetarëve në mënyrë kërcënuese, ata duhet të kuptojnë se nuk jetojnë në një sistem demokratik. Ai shtoi se një pushtetar që nuk do t’ia dijë për votën e qytetarëve dhe që e parashikon rezultatin para se ata të votojnë, është shenja më e qartë se gjithçka buron nga një sistem i deformuar.
Abilekaj:
Mohimi i të drejtës politike është baza dhe burimi i gjithçkaje, është mungesa e frikës.
Ata që ju helmuan fëmijët në Gramsh dhe u bërtet kryetari i bashkisë dhe u thotë dilni po deshët se ua tregoj unë, ata kanë frikë nga kryetari i bashkisë dhe jo kryetari i bashkisë nga ata, sepse kryetari i bashkisë nuk ka problem për votën e tyre.
Në një demokraci, kryetari i bashkisë ka frikë nga qytetarët, dhe në diktaturë qytetarët kanë frikë nga kryetari i bashkisë. Në një demokraci pushteti ka frikë nga qytetarët, në diktaturë qytetarët kanë frikë nga pushteti.
Ne këtë duhet të kuptojmë, në momentin që kryetari i bashkisë u flet ashtu qytetarëve, duhet të kuptojnë se ato nuk jetojnë në demokraci.
Ai e bën atë sepse ai nuk do ta dijë për votën e tyre, ai e parashikon votën para se ata të votojnë, e parashikon rezultatin, ky është burimi i gjithçkaje.
© SYRI.net