KAS shqyrton kërkesën e PD për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun Berat

10:45, 29/05/2025

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) po shqyrton në këto momente kërkesën ankimore nr. 38 të depozituar nga Partia Demokratike, e cila kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 në Qarkun e Beratit dhe përsëritjen e tyre. Ankimuesit kundërshtojnë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nr. 1319, datë 22.05.2025, që miratoi rezultatin përfundimtar për këtë qark.

Në kërkesën e dorëzuar zyrtarisht pranë KQZ-së, Partia Demokratike pretendon se procesi zgjedhor në Berat ka qenë i manipuluar dhe i ndikuar në mënyrë të jashtëligjshme nga pushteti. Sipas PD-së, zgjedhjet janë zhvilluar në kushte të pabarabarta, me përdorim masiv të burimeve publike dhe presion mbi votuesit, duke u shndërruar në një farsë që, sipas saj, deformoi vullnetin e qytetarëve.

Në mbështetje të kërkesës për pavlefshmëri, PD ka paraqitur disa pretendime konkrete. Një ndër akuzat kryesore është blerja e votës përmes shpërndarjes së bonuseve, ndihmave ekonomike dhe favoreve të tjera shtetërore gjatë fushatës. Raporti i OSBE/ODIHR i datës 12 maj 2025 citohet në kërkesë si provë e përdorimit të burimeve shtetërore në mënyrë që krijoi avantazh të padrejtë për mazhorancën.

Një tjetër pikë e rëndësishme e ankesës është vendosja e shtetit në shërbim të Partisë Socialiste, përmes përfshirjes së kryebashkiakëve dhe drejtuesve lokalë të administratës në aktivitete të ndaluara gjatë fushatës, në kundërshtim me vendimin nr. 9/2020 të Komisionit Rregullator. Sipas PD, janë paraqitur edhe kallëzime penale për rastet në fjalë.

PD denoncon gjithashtu roli kriminal të rrjetit të patronazhistëve të PS-së, të cilët akuzohen për presion mbi votuesit në qendrat e votimit, përdorimin e të dhënave personale dhe inkurajimin për fotografimin e votës. Ky sistem, sipas opozitës, përbën një mënyrë të paligjshme dhe të organizuar të kontrollit elektoral.

Së fundmi, PD ka denoncuar realizimin e investimeve publike me karakter elektoral, përfshirë projekte të paplanifikuara dhe pa miratim ligjor në zona të varfra si Skrapari, Poliçani dhe Malinati. Ndër rastet e përmendura veçanërisht është edhe inaugurimi i një ure në fshatin Bilçë nga Kryeministri Rama gjatë fushatës, i cilësuar si shkelje e barazisë në garë.

KAS pritet të marrë një vendim mbi kërkesën e PD pas shqyrtimit të provave dhe argumenteve të paraqitura.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco