Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimin për helmimin e fëmijëve të kopshtit shtetëror në Gramsh.
Policia ka reaguar për ngjarjen e rëndë pesë ditë me vonesë, duke pretenduar se ishte informuar nga rrjetet sociale dhe jo nga autoritetet përgjegjëse. Janë bllokuar kartelat mjekësore të 6 pacientëve të vegjël që u paraqitën në spital me shenja helmimi, të dyshuara si të shkaktuara nga salmonela, ndërsa janë marrë 76 mostra për fëmijët dhe stafin.
Kompania private që kishte kontraktuar Bashkia e Gramshit për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit rezulton me probleme. Prindërit kanë paralajmëruar protestë të hënën para kopshtit numër 1.
Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë në Gramsh, ku rreth 70 fëmijë të kopshtit publik numër 1 të qytetit dyshohet se janë helmuar me bakterin e rrezikshëm salmonelë. Policia e qytetit ka reaguar pesë ditë pas ngjarjes, duke pretenduar se është informuar nga rrjetet sociale një ditë më parë.
Në njoftimin e saj, policia sqaron se në spitalin e Gramshit janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore 6 fëmijë dhe janë bërë analizat për të gjithë fëmijët dhe personelin e këtij kopshti. Në total janë marrë 76 mostra.
Në kuadër të hetimit, policia ka sekuestruar kartelat klinike për 6 pacientët e shtruar në spitalin e Gramshit, procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me produkte ushqimore të Kopshtit Nr. 1, si dhe janë marrë mostra nga ushqimi për ekzaminime të mëtejshme në kushte laboratorike. Gjithashtu, është bërë dhe bllokimi i produkteve ushqimore të mbetura në kuzhinën e këtij kopshti.
6 nga fëmijët që shfaqën shenja më të rënda helmimi u paraqitën në spital gjatë javës me diarre, temperaturë të lartë, të vjella dhe dehidratim. Fillimisht, Instituti i Higjienës bëri analizat për njërin nga fëmijët që kishte shenja më të rënda helmimi, i cili rezultoi me bakterin salmonelë – një bakter mjaft i rrezikshëm që zakonisht përhapet përmes ushqimit të kontaminuar ose higjienës së dobët.
Më pas, u morën 76 mostra për të gjithë fëmijët dhe stafin e kopshtit, nën dyshimin se janë helmuar me të njëjtin bakter, ndërsa priten përgjigjet e analizave laboratorike.
Ngjarja u mbajt e fshehtë nga Ministria e Arsimit dhe Shëndetësisë për katër ditë, derisa u denoncua nga prindërit e fëmijëve të helmuar. Të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre në kopsht dhe për mbulimin e rastit nga institucionet, prindërit kanë paralajmëruar një protestë ditën e hënë përballë Kopshtit Nr. 1 në Gramsh.
Dyshohet se fëmijët janë intoksikuar nga ushqimi që kanë konsumuar në kopshtin shtetëror. Një nga pistat kryesore të hetimit është furnizuesi i ushqimeve me katering për institucionin parashkollor shtetëror.
Sipas dokumenteve të siguruara, kompania “Nelsa shpk” ka fituar tenderin nga Bashkia Gramsh që në vitin 2023 për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit në kopsht. Ky subjekt dyshohet se ka rezultuar më parë me shkelje të rregullave higjeno-sanitare gjatë një inspektimi të AKU-së në vitin 2023, por ka vijuar të operojë normalisht.
Skandali me këtë kompani thellohet edhe më shumë, pasi në disa nga tenderat e tjerë të saj, të fituar nga bashki të tjera, ka rezultuar me “flamur të kuq” në sistemin e prokurimeve publike – një sinjal paralajmërues për mungesë transparence, konkurrencë të dobët ose dyshime për parregullsi në procedura.
Gjithashtu, kjo kompani rezulton të jetë aktualisht në pronësi të Elsa Kamberi (Balla), por themelues dhe pronar fillestar është babai i saj, Nexhmi Balla, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
© SYRI.net