Artjola Tabaku, pjesë e Forumit Rinor të PD-së, e ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", u shpreh se kriza në arsimin shqiptar është një pasojë e mungesës së politikave të qëndrueshme dhe vizionit të qartë nga ana e qeverisë.
Ajo kritikoi idenë e uljes së mesatares së pranimit në degët e mësuesisë, duke theksuar se kjo do të ndikonte negativisht në cilësinë e arsimit dhe do të kompromentonte përgatitjen profesionale të mësuesve.
Tabaku nënvizoi se mësuesit po trajtohen gjithnjë e më shumë si figura politike, si patronazhistë dhe jo si profesionistë të kualifikuar, duke i dhënë një dimension të rrezikshëm procesit arsimor.
Deklarata:
Ajo që unë dua të theksoj në këtë rast nuk është vetëm rënia e numrit të mësuesve, por edhe politikat që mund të zbatohen për ta parandaluar këtë fenomen. Për shembull, është për t’u shqetësuar fakti që po mendohet për uljen e mesatares së pranimit në degët e mësuesisë. Kjo ngre pyetje për nivelin e mësuesve që do të pranohen qofshin ata pak ose shumë në numër.
Kam shumë dyshime. Kam përshtypjen, bazuar në zhvillimet e viteve të fundit në arsim, se mësuesit kërkohen më tepër si “trupa”, ndonjëherë edhe si patronazhistë, dhe më pak për përgatitjen e tyre profesionale. Ajo që më shqetëson më shumë është fakti që, nëse vazhdon kjo prirje për shpërndarje të pabarabartë të studentëve nëpër degë të ndryshme, rrezikojmë të shkojmë drejt mbylljes së disa prej tyre. Shpresoj të mos arrijmë në pikën ku qeveria do të na diktojë se cilin universitet duhet të zgjedhim edhe pse, të them të drejtën, as kjo nuk do të ishte e habitshme.
Kjo situatë nuk është larg nga ajo që ndodhi me diplomat e mjekësisë. Besoj se mund të arrijmë edhe në nivele të ngjashme, por unë ende kam besim se studentët shqiptarë nuk do ta lejojnë një gjë të tillë të ndodhë, duke u nisur nga historia e tyre dhe qëndrueshmëria që treguan që nga viti 2018.
© SYRI.net