SYRI TV/ Plug investigon 'pashallarët' e Dibrës, Agron Malaj ish-gardist i 21 janarit

21:45, 06/05/2025

Emisioni investigativ "Plug" në Syri TV investigoi skemat korruptive të zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në Qarkun e Dibrës, që sot janë edhe kandidatët e Edi Ramës në këtë qark.

Miliona euro tendera, miniera, hidrocentrale dhe parqe fotovoltaike janë vetëm disa prej pasurive të vjedhura nga qytetarët e Dibrës dhe që kanë përfunduar në xhepat e atyre që tashmë konsiderohen si “Pashallarët Rilindas të Dibrës”. Skema korruptive është vënë në funksion të manipulimit të zgjedhjeve, ku personazhet e përfshira në këto skema, përveç kapjes së institucioneve, janë kandiduar për një mandat deputeti në zgjedhjet e 11 majit. Në emision u treguan me fakte pasuritë e Agron Malajt, Jeton Danit, Lefter Allës dhe persona të tjerë që sot janë aktorët kryesorë të fushatës së PS në Dibër.

Emisioni investigativ "Plug" në Syri Televizion zbardhi afera të dyshuara të Partisë Socialiste në Qarkun e Dibrës. Në fokus të emisionit ishin disa personazhe. Agron Malaj, ish-kryebashkiaku i Matit që aktualisht kandidon për Partinë Socialiste, është një prej njerëzve me shumë dritë-hije. Mbi Agron Malajn rëndojnë dy dënime penale: një për plagosje në vitin 1999 dhe një shumë vite më vonë për përfshirjen e kompanive të tij në skemat e mashtrimit me TVSH. Për të dy vendimet penale ndaj tij, Malaj nuk ka kryer dënim.

Agron Malaj, i njohur nga të gjithë si ish-gardisti i 21 Janarit, ku humbën jetën katër qytetarë, teksa ishte pjesë e Gardës së Republikës, hapi njëkohësisht edhe kompani sigurie, të cilën më vonë ia kaloi të vëllait, Fatos Malaj. Kandidati i Edi Ramës në Mat, së bashku me të vëllain, zotërojnë disa kompani, me anë të të cilave kanë përfituar miliona euro tendera, koncesione për ndërtim hidrocentralesh, si dhe leje ndërtimi për hotele në zonën e Dhërmiut. Vetë Agron Malaj deklaron pasuri të mëdha në asete, apartamente, prona, llogari bankare dhe fitime nga kompanitë që ka themeluar dhe që tani i administron vëllai i tij.

Një tjetër personazh i trajtuar në emisionin "Plug" është Jeton Dani, babai i kandidatit të PS, Murat Dani. Ai u bë i njohur për publikun pak ditë më parë, kur në zonën e Ostrenit, tentoi të godiste me grushte kryetarin e forumit rinor të PD, gjatë një takimi të drejtuesit politik të qarkut, Xhelal Mziu. Nga hulumtimi dhe të dhënat publike në QKB dhe institucionet shtetërore, rezulton se Jeton Dani është pronar i kompanisë "Gerti" shpk. Nëpërmjet kësaj kompanie, ai zotëron disa leje minerare në Bulqizë, tendera publikë, si dhe leje për ndërtim parqesh fotovoltaike, të firmosura kryesisht nga Damian Gjiknuri, i cili rezulton të jetë i përfshirë në përgjimet e blerjes së votës në Dibër, të publikuara nga "Bild".

Pjesë e skemës është edhe Lefter Alla, ish-kryetari i bashkisë së Bulqizës, i dënuar për aferat me tenderat. Edhe Lefter Alla dyshohet se qëndron pas disa kompanive, të lidhura gjithashtu me Jeton Danin. Kompanitë e Lefter Allës gjithashtu kanë përfituar leje për shfrytëzimin e minierave, koncesione hidrocentralesh dhe benefite publike. Të gjitha pasuritë e Dibrës janë sot në dorë të një grupi njerëzish, të cilët po ashtu rezultojnë se janë kandidatët dhe aktorët kryesorë të fushatës së Partisë Socialiste në Dibër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco