Drejtori i ‘Acromax’, Aldor Nini, i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri TV, foli për ndikimin e memeve në fushatën elektorale. Sipas tij, pjesa më e madhe e komunikimit të qeverisë këtë herë po realizohet me meme, montazhe dhe video humoristike.
Nini theksoi se rebelizmi online është rritur ndjeshëm krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Ai ngriti shqetësimin nëse ky revoltë virtuale do të përkthehet në pjesëmarrje në votime, duke kujtuar që më pak se gjysma e popullsisë voton. Sipas tij, ky fenomen mbetet një nga problemet më të mëdha të sistemit politik. Gjithashtu, ai vuri në dukje rritjen e aktivitetit politik edhe nga diaspora, sidomos nga Greqia dhe vendet gjermanofolëse.
Nini: Këtë herë është bërë faktikisht një fushatë memesh sepse pjesa më e madhe e gjithë fushatës së komunikimeve po bëhet me atë të memeve me anë të humorit, me anë të montazheve, të videove.
Flasim për fushatën e mazhorancës, për qeverinë aktuale.
Ndërkohë kemi dhe popullin e thjeshtë i cili këtë herë në rrjetet sociale ka kërkuar më shumë vëmendje për të dhënë opinionin e vet, si për shembull ato të opozitës dhe ato që nuk duan të votojnë qeverinë.
Kjo është rritur në mënyrë drastike këto zgjedhje në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Nuk kishe persona që dilnin, thërrisnin, p.sh. për të votuar Partinë Demokratike, nuk kishte aq shumë video të cilat shprehin pakënaqësinë me qeverinë ose me sistemin aktual, kjo është rritur.
Ka një rebelizëm online këtë herë, që nuk e kam parë me statistika në të kaluarën.
Por nga ana tjetër pyetja e madhe është a do të votojnë këto persona që po rebelohen dhe çfarë do të votojnë këto persona?
Sepse ne akoma e kemi shumë mirë parasysh që vetëm 30 e pak përqind e popullatës shkojnë e votojnë, më pak se gjysma.
Ky është problemi më i madh prandaj dhe jemi të pakënaqur pavarësisht se kush është më i miri që është në qeveri, sepse gjysma nuk voton.
Nga diaspora kemi parë gjithashtu një rritje shumë të madhe të aktivitetit, sidomos nga Greqia, nga vendet gjermanofolëse, edhe nga Amerika pak pavarësisht se nuk depërton tek ne shumë sepse për arsye edhe të algoritmeve që kanë rrjetet sociale.
© SYRI.net