Berisha: Qeveria do të vendosë taksat më të ulëta që ekzistojnë në botë! Do e nisim me minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar në nevojë

Berisha: Qeveria do të vendosë taksat më të ulëta që ekzistojnë në botë! Do e nisim me minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar në nevojë

21:15, 11/04/2025

Në ceremoninë e hapjes së fushatës elektorale të 11 majit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se ai nuk ka kthehet për pushtet apo para, por për t’u kushtuar shoqërisë dhe fëmijëve të saj. Ai u shpreh se fuqia e një burri matet me dashurinë dhe pasionin për të ndihmuar vendin dhe shoqërinë, duke theksuar se PD është partia e rritjes dhe dyfishimit të pagave dhe pensioneve.

Berisha premtoi se, nëse do të jetë në pushtet, do të vendosë taksat më të ulëta në Europë dhe botë, për të mundësuar begatimin e shqiptarëve. Ai kritikoi qeverinë aktuale dhe theksoi se Shqipëria e pasur është nën shfrytëzimin e Edi Ramës dhe oligarkëve të tij. Kryetari i PD-së theksoi se projekti i tij është për një Shqipëri të bukur dhe madhështore, një vend ku pasuritë natyrore do të shfrytëzohen për përfitimin e shqiptarëve. Berisha përfundoi fjalimin duke u angazhuar për ndihmën e atyre që përjetojnë vështirësi ekonomike dhe premtuar mbështetje për pensionistët, studentët dhe të papunët.

FJALA E BERISHËS:

Miq, për sa i përket moshës, ju garantoj se ai, nuk e keni njohur ju, por unë e mbaj mend, ngjet jo me Gramozin, por me gjyshin e Gramoz Ruçit.
Ndaj dhe nuk e di ti, se vjedh gjithë ditën, por forca e burrit matet, fuqia e një burri matet me dashurinë dhe pasionin që ka ai për të ndihmuar shoqërinë, kombin, vendin e tij.
Nuk jam kthyer unë për pushtet, jo, jo.
Unë kam qenë në pushtet dhe kam lënë ato që ti nuk i shuan dot.
Nuk jam kthyer unë për para. Jo dhe jo. Shqiptarët e panë se cili ishte vetingu i Sali Berishës.
Nuk jam kthyer unë për luks. Jo dhe jo.
Dije, në moshën time, kur kam ardhur në këtë stad të jetës, këtë eksperiencë, këtë dashuri, këtë respekt që kam për njerëzit, dua t’ua kushtoj atyre, dua t’ua kushtoj fëmijëve të tyre, dua t’ia kushtoj këtij projekti që pushton çdo ditë e më shumë mendjet dhe zemrat e tyre.
Dua që së bashku me ta, ashtu siç përmbysëm diktaturën e baballarëve të tu, ashtu siç vendosëm tregun dhe demokracinë, ashtu siç anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ashtu siç transformuam Shqipërinë, të ndërtojmë tani Shqipërinë Madhështore, Shqipërinë më të bukur që shqiptarët kanë pasur në tërë historinë e tyre.
Ndaj dhe ne këtë projekt do ta nisim jo me patronazhistët siç e nis, jo me ata ministrat dhe klanin tënd, ata oligarkët që mban përreth dhe plaçkit në mënyrë të pamëshirë këtë vend, por do ta nisim me ata që numërojmë kafshatën, do ta nisim me ata që qajnë me lot mjerimi, do ta nisim me ata 780 mijë burra dhe gra që i ke katandisur si askush tjetër në Europë.
Do vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist, për çdo student, për çdo të papunë, për çdokënd në ndihmë ekonomike.
Ne jemi partia e rritjes dhe dyfishimit të rrogave dhe pensioneve, ne do i rrisim dhe do i dyfishojmë ato.
Shqipëria e punës, Shqipëria e njerëzve të paguar, Shqipëria e njerëzve që prodhojnë, Shqipëria e njerëzve të suksesit është qëllimi i projektit tonë.
Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para shqiptarëve se qeveria do të vendosë mbi ta taksat më të ulëta që ekzistojnë në Europë dhe në botë, në mënyrë që ju me mundin, me djersën tuaj të begatoheni, të mëkëmbeni, të pasuroheni.
Miqtë e tu nuk ka një vend të dytë të pasur si Shqipëria, nuk ka 28 mijë kilometra katrorë që të ketë pasuritë e saj përrallore.
Sot, ato shfrytëzohen nga Edi Rama dhe oligarkët e tij njëlloj si në sistemin më të egër kolonial.
Nesër ato do të kthehen në pasuri për ju, për fëmijët tuaj, për Shqipërinë Madhështore, për Shqipërinë e të ardhmes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco