Drejtuesi i Departamentit ‘Brain Gain’ në PD, Andi Mustafaj, dha detaje për SYRI TV në një lidhje direkte nga sheshi “Nënë Tereza”, ku po zhvillohen përgatitjet për hapjen e fushatës së Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
Ai theksoi se aktiviteti do të nisë me një pjesë simbolike, të quajtur “korridori i kujtesës”, përballë Presidencës, që do të ndërthurë elemente vizuale si video, foto dhe banera për të kujtuar arritjet e PD. Mustafaj u shpreh se përmes këtij korridori do të thyhet “muri i propagandës” dhe qytetarëve do t’u kujtohet roli i PD në ndërtimin e Shqipërisë moderne. Sipas tij, përgatitjet kanë nisur që prej mbrëmjes së djeshme dhe janë në funksion të një eventi madhështor.
Ai përmendi gjithashtu se Criss LaCivitta, strategu që ndihmoi Donald Trump në SHBA, do të sjellë teknika moderne të PR në ndihmë të demokratëve. Mustafaj vlerësoi programin e PD si një plan konkret për përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes ekonomisë, sigurisë dhe rendit. Ai shtoi se sfida kryesore është përballja me kontrollin e qeverisë mbi rrjetet sociale dhe mediat, ku LaCivitta pritet të luajë rol kyç.
Mustafaj:
Ne kemi ardhur me një grup të anëtarëve Brain Gain për të ndihmuar gjithë ekipin që ka ardhur që në mëngjes, që dje faktikisht ka filluar me montimin e skenës, sepse ne kemi menduar veçanërisht me një pjesë që do të jetë përpara sheshit Nënë Tereza, që do të jetë tek bulevardi përpara Presidencës, që ne e kemi quajtur korridori i kujtesës.
Është ideja që ne kemi biseduar gjithmonë bashkë, për mënyrat si mund të thyhet korridori i propagandës dhe ne kemi menduar që në mënyrë simbolike për këtë hapje të fushatës murin e propagandës e thyen korridori i kujtesës, një korridor që do ndërthuri nëpërmjet elementeve video, foto dhe banera të ndryshëm, historikun e PD dhe të gjithë arritjet e Partisë Demokratike.
Të gjithë qytetarët që do të vijnë në shesh për hapjen zyrtare të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 2025 të kalojnë tek ky korridor, që edhe atyre t’u kujtohet edhe një herë që të gjitha arritjet më të qenësishme të Shqipërisë moderne janë arritur nga PD.
Që ne për të arritur këtu ku jemi sot, pas një lufte të gjatë që siç e dimë të gjithë na është bërë nga kundërshtari ynë që të na asgjësonte politikisht dhe realitetin që ne përfaqësojmë, në Shqipëri, ne jemi akoma këtu, të pamundurën e kemi bërë të mundur.
Dhe pra është një rrugëtim simbolik për të gjithë qytetarët dhe për zotin Berisha kur të vijë më pas që të kalojmë këtu drejt 2025, drejt sfidave që do kemi përpara.
Criss LaCivitta ka arritur që një person pak a shumë në një situatë të ngjashme me zotin Berisha ta nxjerrë fitimtar në SHBA, që ishte zoti Donald Trump, kështu që kjo i jep sigurisht një hov dhe një lloj energjie të re demokratëve.
Ai sjell teknikat moderne të PR që ç’është e vërteta në Shqipëri nuk i njohim doemos.
PD themelin e ka, arritjet i ka, edhe programin e kemi, sepse programi i PD nëpërmjet paketës së emergjencës, nëpërmjet elementeve kryesor sa i përket ekonomisë, sigurisë, rendit, ja përmirëson në mënyrë të ndjeshme jetën qytetarëve shqiptarë, mirëpo ndoshta nëpërmjet teknikave moderne të PR, edhe sepse qeveria kontrollon në një masë të madhe rrjetet sociale dhe mediat, ne nuk arrijmë të depërtojmë siç duhet, dhe kjo është një sfidë që LaCivitta do të na ndihmojë.
© SYRI.net