'Veliaj jashtë burgut i rrezikshëm!’ Apeli i GJKKO-së: Ka financa dhe fuqi për prishje provash

21:13, 08/04/2025

Erion Veliaj duhet të qëndrojë në masë shtrënguese arresti si ajo me burg, pasi përbën një rrezik serioz për prishjen e provave, dhe këtë e ka dëshmuar që nga fazat e para të hetimit deri në momentin kur është dhënë ky vendim. Ky është konkluzioni i përmbledhur i gjyqtarit të Apelit, Engert Pëllumbi, i cili më 13 mars vendosi ta lërë në qeli kryebashkiakun e Tiranës. Sipas gjyqtarit, Veliaj ka kontaktuar me një gjuhë të pastër intimiduese agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku i ka kërcënuar për shkak të thirrjes në hetim të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.

Më tej, thuhet në vendimin e Apelit, situata rëndohet edhe më shumë nga fakti se Veliaj, por sidomos bashkëshortja e tij, kontaktuan pothuajse çdo person që thirrej në SPAK, i orientonin për çfarë duhej të thoshin dhe, pas deklarimeve, u kërkonin llogari për atë që kishin pohuar.

Në këto rrethana, thuhet në arsyetimin e Gjykatës, duke pasur parasysh pushtetin e Veliajt si kryetar i bashkisë më të madhe në vend, ai ka mundësi reale për të ndikuar te dëshmitarët, për të ngadalësuar procesin hetimor dhe për të "helmuar" provat. Gjithashtu thuhet se ka pushtetin për të ndikuar mbi vartësit e tij, për të zhdukur apo për të deformuar përmbajtjen e dokumenteve të ndryshme që mund të shërbejnë si burime provash, si dhe për të ndikuar mbi persona të ndryshëm, vartës ose jo, për të mos dhënë deklarime me vlerë përpara hetuesisë, ose për të deformuar përmbajtjen e këtyre deklarimeve.

Sipas gjyqtarit Pëllumbi, Erion Veliaj i ka vijuar veprimet e paligjshme ose përpjekjet për intimidim dhe ndikim në hetim edhe gjatë qëndrimit në paraburgim, nga ku ka kryer telefonata duke përdorur numrin e brendshëm të burgut.

Ndërkohë që Veliaj kërkonte një masë më të butë, duke u zotuar se do t’i përgjigjej drejtësisë në çdo kohë, gjykata vlerëson se ai konsiderohet si subjekt që mund t’i shmanget drejtësisë. Ekziston rreziku i arratisjes apo i kryerjes së veprave të tjera penale, ndërsa ai po hetohet për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash dhe së fundmi edhe për futje të sendeve të palejuara në qeli. Sipas Apelit, mundësitë financiare të të hetuarit vlerësohen në përputhje me lëvizjet e tij të shumta, të konfirmuara edhe nga sistemi TIMS, si dhe për shkak të veprave për të cilat po hetohet. Gjykata thekson se rreziku i arratisjes është i menjëhershëm dhe në nivele të larta.

Gjykata i referohet një sërë rastesh kur persona nën hetim janë mbajtur në arrest, si: Lefter Koka, Ilir Beqaj, Fatos Tushe apo Vangjush Dako.

“Sa më i fuqishëm të jetë personi, aq më i madh konsiderohet potenciali për të minuar hetimin ose për të ushtruar trysni të papërshtatshme”, thekson Apeli i Posaçëm, duke iu referuar edhe një vendimi të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin “Podeschi kundër San Marinos”.

Sipas Apelit, Erion Veliaj përbën edhe një element tjetër të rrezikut recidivist, që me fjalë të tjera nënkupton një sjellje shoqërisht të rrezikshme, për të cilën dikush është dënuar më parë me vendim gjyqësor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco