Vizita në Tiranë/ Kedhi: Kallas nuk solli asnjë mundësi për Shqipërinë, reformat e Ramës për në BE janë iluzion...

16:49, 08/04/2025

I ftuar në edicionin e lajmeve të orës 16:00 në SYRI TV, Nikola Kedhi, anëtar i Departamentit 'Brain Gain' në Partinë Demokratike, ka komentuar vizitën e Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, duke theksuar se nuk kishte asgjë të veçantë në takimin e saj me kryeministrin, dhe se nuk ka parë entuziazëm për situatën në vend.

Sipas Kedhit, deklaratat e Kallas për reformat ambicioze që duhet të realizohen për anëtarësimin në Bashkimin Evropian janë të pavend, pasi Shqipëria ende përballet me probleme themelore si mungesa e ujit të pijshëm, energjisë elektrike dhe sigurisë juridike.

Ai theksoi se për Shqipërinë është e domosdoshme të adresohen këto çështje para se të kërkohet anëtarësimi në BE.

Nikola Kedhi: Nuk u hap asnjë portë për Shqipërinë. Zonja Kallas ishte në Shqipëri në kuadër të një turi vizitash që ajo ka bërë në rajon dhe sigurisht ishte edhe në Tiranë, duke u takuar me kryeministrin e vendit. Nga këtu nuk ka asgjë jashtë normale. Nuk mu duk se ishte shumë entuziaste. As me batutat që nuk bëjnë për të qeshur të kryeministrit dhe as me situatën në Shqipëri.

Kam vënë re edhe nga pasqyrimi në media i përdorimit që ajo i bëri fjalës ambicioze, dhe sigurisht i referohet reformave që do duhet Shqipëria të bëjë, që të anëtarësohet në BE. Natyrisht që janë reforma ambicioze, dhe të kesh një synim për të anëtarësuar vendin për dy vite kur drejton një vend që vuan sot nga mungesa e ujit të pijshëm, nga mungesa e dritave në shumë zona të vendit. Ndërkohë që këto nuk diskutohen në Bashkimin Evropian prej shumë shumë shumë dekadash, për të mos thënë mbi një shekull.

Natyrisht që është ambicioze. Që të futesh në Bashkimin Evropian, duhet t’u garantosh njëherë qytetarëve të vendit tënd jo vetëm ujë dhe drita që ende i diskutojmë në shekullin e 21-të, dhe vitin 2025 në Shqipëri, por duhet t’i garantosh dhe sigurinë për jetën që në shumë zona të vendit nuk garantohen. Duhet të garantosh siguri juridike, që ende nuk garantohet në Shqipëri. Një qytetar shqiptar sot, mesatarisht i duhet 15 vite që t’u shqyrtohet një çështje civile sipas të dhënave të Gjykatës së Lartë, të dhënave që vijnë nga sistemi i gjyqësorit. Sot nuk ka siguri shëndetësore, sot nuk ka siguri arsimore dhe ndaj natyrisht nuk ka edhe siguri ekonomike. Dhe prandaj, 1.1 milionë shqiptarë, janë larguar drejt vendeve të shenjen, por edhe më gjerë.

Kështu që, duhen adresuar të gjitha këto fusha më përpara dhe më pas të shkosh i barabartë në tryezën e vendeve evropiane.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco