Përgjimet/ Buzhala: Veliaj ka luajtur sipas skenarit të SPAK, hetimet po zbulojnë lidhjet mes politikës dhe krimit

21:37, 07/04/2025

Situata e krijuar ditët e fundit me publikimin e përgjimeve të Erion Veliaj nga qelia e paraburgimit në Durrës, sipas gazetarit Berat Buzhala, tregon sesi kryebashkiaku i Tiranës ka luajtur sipas skenarit të SPAK. Kjo e fundit sipas tij, ka pasur një plan të qartë për të arritur tek e vërteta.

I ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’, në SYRI TV, Buzhala theksoi se prokuroria ka qenë e vetëdijshme për çdo gabim të mundshëm të Veliajt.

Berat Buzhala: Shqipëria ka një eksperiencë pak më të vonshme porsa i përket mënyrës së përgjimeve, taktikës së prokurorisë për të ardhur deri tek e vërteta. Ajo çfarë po shoh, është që Erion Veliaj, gjithë kohën ka luajtur sipas skenarit të prokurorisë, SPAK. Ata kanë qenë të vetëdijshëm se ku po e lënë të gabojë Veliaj, jam i bindur që në burg nuk është futur asnjë telefon.

Opinioni publik në Shqipëri deri tek këto raste, nuk ia ka marrë mendja se mund të ishte kjo strukturë. Tashmë, të gjithë e dinë me fakte që kështu është struktura. Ka një dallim esencial me ‘ta marrë mendja’ dhe ta shohësh me fakte që Veliaj është në Burg, koordinohet me njerëzit jashtë, ka një grup gazetarësh nën kontroll, është organizatë mes politikes dhe kriminales.

Kjo dëshmon edhe një gjë që unë e kam thënë edhe më herët, që SPAK nuk është e kontrolluar politikisht, sepse do të ishte pak mazohiste prej Ramës, që ai të lejojë që emri i tij të dalë nëpër dosje.

Edhe mund të jetë zoti Rama redaktori, mund të jetë Fatmiri, apo mund të jetë kushdo.

Ajo çfarë po ndodh aktualisht në PS, jam i bindur që është një rënie e madhe që ndoshta nuk do të vihet re edhe në këto zgjedhje, për arsye të ndryshme, mirëpo, ajo është duke qëndruar si strukturë politike në këmbë.

Të gjitha këto që po thuhen në këto përgjime, do të jenë në vëmendjen e publikut. Ajo çfarë po ndodh këtu, për mendimin tim e dëshmon edhe njëherë që dosja nuk ka dalë nga SPAK.

Ajo çfarë po ndodh në fushën e rendit dhe ligjit në Shqipëri, është e paprecedentë në këto 35 vitet e fundit. Kur një organizatë kaq e vogël, brenda 2-3 viteve do të drejtojë çdo gjë që ka qenë shtrembër në Shqipëri në 20-25 vite, do të ishin pritje shumë të mëdha për SPAK.  

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco