Bashkia e Dimalit dëmton rreth 200 varre të vjetra në fshatin Banaj. Të paktën ky është pretendimi i banorëve, të cilët protestuan këtë të shtunë. Ata shprehen se bashkia po ndërton një urë mbi një kanal vaditës, por këto punime kanë shkatërruar varret e vjetra të fshatit. Protestën e këtij komuniteti e mbështeti dhe drejtuesi politik i PD në qarkun e BEratit, Eno Bozdo, i cili tha se do të padisë në SPAK kryebashkiaken Juliana Mema.
Banorët e fshatit Banaj në bashkinë Dimal protestuan në varrezat e vjetra të fshatit, për shkak se parcela ku ndodhen rreth 200 vend prehje, është dëmtuar nga ndërtimi i një rruge.
Disa ditë më parë, në këtë zonë kanë mbërritur makineri të rënda të bashkisë Dimal, duke punuar në një sipërfaqe prej 3 hektarësh. Banorët thonë se punimet janë kryer pa u konsultuar me ta, ndërsa makineritë kanë dëmtuar varret e vjetra të fshatit.
Pas ngjarjes, banorët janë ankuar në bashki, por atje kanë gjetur derën mbyllur nga kryebashkiakja Juljana Mema.
Në mbështetje të protestës ishte dhe drejtuesi politik i qarkut Berat për partinë demokratike, Eno Bozdo. Ai e cilësoi aktin e bashkisë jo vetëm çnjerëzor por edhe si vepër penale.
Bozdo deklaroi se janë bërë gati paditë penale për kryebashkiaken Juljana Mema dhe kryeplakun e fshatit, padi që pasi të firmoset nga të gjithë banorët e fshatit Banaj do të depozitohen në SPAK.
© SYRI.net