Kandidati për deputet i PD-së, Besart Xhaferraj, i përgjigjet ashpër Edi Ramës në një postim në Facebook, duke theksuar se të rinjtë e FRPD nuk janë të përfshirë në aktivitete kriminale dhe përdorimin e teknologjive të paligjshme si SKY ECC, siç e ka pretenduar kryeministri.
Xhaferraj e akuzon Ramën për lidhje me bandat dhe për manipulimin e programit elektoral nga grupe të tilla.
Ai kritikon qeverinë për dështimin në menaxhimin e krimit dhe përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve, duke sjellë si shembuj situatën e rëndë në Elbasan dhe lidhjet e thella mes pushtetit dhe grupeve kriminale.
Po ashtu, ai paraqet programin e Partisë Demokratike si një alternativë për një të ardhme më të sigurt dhe më të ndershme për Shqipërinë, me fokus te rinia, ekonomia dhe mundësitë për një jetesë më të mirë.
Deklarata e plotë:
Edi Rama të rinjtë e FRPD nuk përdorin SKY ECC, programin elektoral që do prezantosh sot t'a kanë hartuar bandat!
Nga Elbasani dje Edvin Kristaq Rama guxoi sërish të përmendte të rinjtë e FRPD, duke pretenduar se ka folur me disa prej tyre në Vlorë, madje këtë të shtunë ata 3 ish anëtarë që i’u bashkuan PS-së i kishte ftuar edhe në podcast.
Përtej pritshmërive të Ramës nuk e kam ndërmend të them asnjë fjalë për tre ish bashkëpunëtorët, se ne nuk gjykojmë zgjedhjen personale të askujt as nuk mbajmë njeri peng me dosje e me banda, por disa fjalë për ty i kam Edi Rama, që pohove dhe kompleksin që ke nga FRPD.
Në fakt ti dje në Elbasan do duhej të flisje për përgjakjen që i bëri koordinatori yt me bandat, Taulant Balla, qytetit të Normales, ku vrasjet si në Sinaloa nën qeverinë Rama u kthyen në normalitet, duke nisur nga masakra ndaj Çapjave deri tek ekzekutimi mafioz i avokatit me shtetësi angleze Ravik Gurra.
Nëse doni të shikoni si katandiset një trevë kur ekspozohet përballë krimit shikoni Elbasanin, ku varret përgjatë 12 viteve të fundit u mbushën më shumë me të rinj të vrarë, se sa të moshuar, ku mjerimi nuk pyet për bindje partie, e ku siç faktuan dosjet e SPAK bandat me bekimin e Ramës kishin marrë kompetencat e KLGJ dhe KLP duke diktuar prokurorë e gjyqtarë.
Në Elbasan duke i përçmuar qytetarët u shprehe se për të fituar nuk ke nevojë as për program, por e vërteta është që ty programin që do prezantosh sot ta kanë hartuar bandat dhe Beogradi.
Tre pikat kryesore të programit tënd ekonomik janë vjedhja e buxhetit, pastrimi i parave në ndërtim, ku ti ke monopolin e lejeve të ndërtimit dhe eksodi masiv i shqiptarëve sipas tezës së Cubrilloviçit.
Dje në podcastin tënd në ERTV fole për të rinjtë që i ke privuar nga mundësia për blerjen e një banese, teksa në programin tonë një nga pikat më të forta është strehimi ku për çiftet e reja do subvencionojmë 20% të kredisë, që të rinjtë të kenë mundësi të blejnë një prone si bazë për të ndërtuar të ardhmen.
Për çdo të ri që vjen të investojë në Shqipëri do ketë amnisti taksat për 5 vite, pasi për ne shqiptarët janë aseti më i madh.
Programi ynë i emergjencës kuron mjerimin në familjet shqiptare, pasi parashikon pension minimal 200 euro, pagë minimale 500 euro, pagë mesatare 1200 euro dhe kartën e konsumatorit, si dhe çmime uji dhe energjie pa taksën e venë nga hajdutët.
Në 11 Maj shqiptarët do ndëshkojnë me votë Edvin Ramën, njeriun që do mbahet me mend si Kryearkiteti i shpopullimit dhe mjerimit të vendit!
© SYRI.net