Berisha: Do të përgjysmojmë çmimin e ujit. Çmimi i energjisë do jetë 7 lekë për konsumatorin, 6 lekë për biznesin

Berisha: Do të përgjysmojmë çmimin e ujit. Çmimi i energjisë do jetë 7 lekë për konsumatorin, 6 lekë për biznesin

15:23, 20/03/2025

Lideri i opozitës, Sali Berisha, u shpreh në takimin me demokratët në njësinë 8, në lidhje me masat që do të ndërmerren për të ulur kostot për qytetarët dhe për të zhvilluar ekonominë shqiptare. Një nga prioritetet sipas Berishës, është ulja e çmimit të ujit dhe të energjisë, duke arritur një çmim të përballueshëm prej 7 lekësh për konsumatorët dhe 6 lekë për bizneset.

Në një mesazh të drejtpërdrejtë për shqiptarët, Berisha ka theksuar se përveç këtij kursimi në fatura, qeveria e tij do të sigurojë instalimin e paneleve fotovoltaikë për ata që e duan këtë mundësi, pa detyrim, nëpër çatitë e shtëpive. Ky projekt ka për qëllim që brenda tre viteve, shqiptarët të mund të kenë energjinë falas pas një periudhe qiraje.

Kryetari i PD-së, gjithashtu, nënvizoi se Shqipëria ka një pasuri të madhe natyrore dhe për këtë arsye është e mundur që çmimi i ujit të reduktohet për të gjithë qytetarët.

Fjala e Sali Berishës:

Ne jemi vendi me ditë më të shumta dielli në rajon.

Çfarë do bëjmë ne?

Së bashku me bankat do instalojmë në çatitë e të gjithë shtëpive të shqiptarëve që duan, jo me detyrim, do t’u instalojmë panelet fotovoltaikë. Tani nuk kushtojnë më siç kushtonin. Dikur ishin të paprekshëm. Sot janë krejtësisht tjetër. Do instalohen që 3 vite të paguani qiranë, pas 3 viteve e keni falas.. Ta marrësh energjinë falas.

Do të përgjysmojmë çmimin e ujit. Nuk ka fatkeqësi, saqë të mos mundet Shqipëria ta japë ujin falas. Pse? Se ka ujë plot. Austria e jep ujin falas. Kemi ujë plot.

Dhe ne, absolutisht kemi ujë sa Austria, padyshim, por kemi problemet e menaxhimit. Por, të paktën taksa e ujit do përgjysmohet.

Energjia. Çmimi do jetë 7 lekë për konsumatorin, 6 lek për biznesin. Taksa 10%. Është taksa e Kuranit, është taksa e Biblës, është taksa e drejtësisë së vërtetë.

Po. Në qoftë se është transmetuar nga gjenerata në gjeneratë si taksë e pranueshme nga njeriu dhe taksë e drejtë. Ne kthehemi tek 10%, mos e pak më e ulët.

Do bëjmë çdo gjë që Shqipërinë ta shndërrojmë në një epiqendër të teknologjive më të larta.

Po pse zotohemine? Po ne zotohemi.

Se ne gjer në vitin 2008, Shqipëria në shekuj kishte qenë në grupin e vendeve me të ardhurat më të ulëta dhe doli në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Në vitin 2005 ne e kishim Shqipërinë me një penetrim interneti në popullatë 4.9%. Arritëm në 63%. Nuk jemi ne të paaftë e të pazotë, përkundrazi.

Ndaj dhe, ju siguroj se Shqipëria do të bëhet epiqendra e dataqendrave, e internetit 3, e inteligjencës artificiale, e blockchain dhe kriptomonedhave.

Këto janë ëndrrat e të rinjve tanë. Ata ëndërrojnë një Shqipëri të tillë dhe ata do ta kenë një Shqipëri të tillë.

Pra, duhet të bëjmë gjithçka, të ndahemi nga kjo e keqe që i ka rënë vendit, që ka larguar shqiptarët në 10 vjet më shumë se çdo pushtues dhe çdo regjim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco