Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, gara politike në qarkun e Dibrës bëhet gjithnjë e më e fortë. Kandidati i Partisë Demokratike, gazetari Basir Çollaku, ka shprehur mirënjohjen dhe vendosmërinë e tij për të qenë në krah të qytetarëve në këtë betejë.
Përmes një mesazhi drejtuar demokratëve të qarkut, ai thekson se kjo është një përballje për ndryshim dhe shpresë. Çollaku shprehet se çdo banor i Dibrës ka arsye të forta për të votuar kundër varfërisë dhe padrejtësive që i kanë shoqëruar ndër vite. Çollaku e sheh këtë sfidë si një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë e të ndershme. Ai apelon për unitet, duke theksuar se PD-ja është e bashkuar dhe e gatshme për fitore. Me mesazhin “Besojmë, në Fuqi dhe Nder, Familje, Pronë dhe Zot.”, ai e mbyll thirrjen e tij për një angazhim të përbashkët drejt triumfit më 11 maj.
Çollaku:
Demokratë të qarkut Dibër.
Një mirënjohje plot dritë e fisnikëri shpirti për ju. Ju vendosët të luftojmë e të fitojmë bashkë 11 majin dhe unë të jem njëri prej jush në këtë betejë. Nuk ka lista brenda e lista jashtë, se PD-në e kemi bashkë. Urtësia dhe mençuria e zonave tona është përtej të zakonshmes. Mati, Bulqiza, Peshkopia, kanë fuqinë e madhe të ndryshimit. Përballja jonë do të jetë fitore. Çdo banor i qarkut tonë, do të gjejë pafundësi arsyesh, për të votuar kundër të keqes mbi jetët e tyre, familjeve të tyre. Ka mundësinë të përdorë votën e tij për të ndërtuar të ardhmen e re, ku nuk grabiten çdo orë të jetës. Të përdorë vullnetin e tij kundër varfërisë vrasëse, në një vend ku janë prodhuar e marrë miliarda, por qytetarëve u kanë lënë dhe mbetur qindarka. Ne, votojmë bashkë, fitojmë bashkë, ndryshojmë bashkë, jetojmë më mirë bashkë.
Besojmë !
Në Fuqi dhe Nder, Familje, Pronë dhe Zot.
© SYRI.net