SYRI TV
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia lidhur me debatin e fundit politik mbi drejtësinë në vend. Duke kritikuar Reformën në Drejtësi, të cilën e konsideron një 'lojë perëndimore', Meta gjithashtu komentoi dhe fshirjen që kryeministri Rama bëri të fotove me Aleks Soros në rrjetet sociale. Ai akuzoi Ramën se po tenton t’i faturonte Erion Veliajt pasojat e ‘sorosifikimit’ të 20 viteve të fundit.
"Ky halldupi i Ramaformës e fshin Aleksin nga rrjetet sociale me urgjencë dhe tani po kërkon t’ia faturojë Lali Erit gjithë sorosifikimin e 20 viteve. Deri kur do të vazhdojmë ne me këta ‘perëndimorët’? Po Kushtetutë kemi ne? Po Kushtetutën a nuk e kemi bërë me këta? Po Reformën e “plepave” a nuk e bëmë me këta? Po Reformën pas 1997 a nuk e bëmë me këta? Pse sa herë ndërrohen ambasadorët e tyre, ne do ndryshojmë Kushtetutën?", u shpreh Meta.
Ai theksoi se koha ka treguar që SPAK-u dhe drejtësia janë kapur nga kryeministri Rama, duke theksuar se pas datës 11 maj, reforma në drejtësi duhet të ribëhet në bashkëpunim me Komisionin e Venecias.
"Kjo lojë me 'perëndimorët' ka krijuar një pasiguri juridike të rëndë dhe kronike, ku shpopullimi është një kërcënim ekzistencial për ne, ndërsa korrupsioni skizofrenik ka arritur nivele të padurueshme. Është koha të mbyllim këtë lojë me 'perëndimorët', sepse jemi vendi më i shpopulluar në rajon, me pensionet më të ulëta, dhe vendi i fundit në botë për kreativitetin e fëmijëve. Ne jemi gjithashtu vendi i vetëm ku Kryeministri është kundër Drejtësisë që ai vetë e ka kapur brutalisht me ndihmën e 'perëndimorëve'. 11 maji duhet të shënojë fundin e kësaj maskarade dhe, në bashkëpunim me Komisionin e Venecias, të bëjmë vettingun e zbatimit të Reformës në Drejtësi." tha ai.
Në reagimin e tij në Facebook, Meta gjithashtu pyeti: "Po ç’taksirat kishin qytetarët amerikanë që të harxhoheshin dhjetëra milionë dollarë të tyre për të kapur Ramën me OJQ-të e tij dhe sistemin e drejtësisë?"
Ky reagim i tij erdhi nga qelia nr. 5 në burgun e 313.
© SYRI.net