Duke folur në prezantimin e programit ekonomik të PD, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, aktualisht Shqipëria ndodhet në emergjencë.
Dhe për të dalë nga kjo emergjencë Partia Demokratike po përgatit paketën e 100 ditëve të para të qeverisjes, që sipas kryedemokratit do të jete një paketë me efekt të menjëhershëm dhe transformues për të gjithë shqiptarët.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Por, ne kemi një praktikë. Nuk e nisim. Ne kemi një trashëgimi, dhe trashëgimia jonë në këtë drejtim është inkurajim për ne.
Në periudhën që qeverisëm dy mandate, ne dyfishuam rrogat, ne dyfishuam pensionet, ne rritëm me 320% eksportet, ne rritëm me 300% investimet e huaja. Ku janë eksportet sot?
Nga 2023 në 2024, ato kanë rënë 32%. Rënie katastrofale kjo, 32%. Asgjë nuk shpreh prodhimin dhe punësimin më shumë se eksporti.
Eksportet i rrëzoi përtokë narkoeuro. Euro është shndërruar në një monedhë toksike për ne. 35, 38% zhvlerësim. Asnjë ndërhyrje, asnjë kompensim nga qeveria, vetëm një soditje.
Prodhimi industrial, ka 6 semestre që bie në mënyrë progresive. Prodhimi bujqësor po bie.
Ne do bëjmë gjithçka për një Shqipëri që prodhon, prodhon, prodhon. Sepse ky vend ka potenciale të jashtëzakonshme prodhimi. Ne do nxisim prodhimin me insestiv fiskal, me kredi dhe me shumë mekanizma të tjerë, të cilët i kanë elaboruar ekspertët tanë shumë mirë.
Sot, ekonomia shqiptare bazohet në ndërtimin, por Shqipëria është shumë interesante. Kur njeriu sheh këto kulla, dhe kemi treguar se kemi ndërtimet më të larta në Europë, mendon se bankat këtu janë në aktivitet të madh. Jo, për fat të keq bankat pothuajse janë në gjumë, sepse vetëm 800 mln nga 4 mld euro të investuara në këto kulla vijnë nga banka, tjerat vijnë nga nëntoka.
Cili është rezultati? Rezultati është: një i ri duhet të punojë 100 vite për të thurur ëndrrën e tij në Tiranë, për të blerë një banesë, për të patur një apartament. Nuk mund ta blejë. Prandaj ai ikën kudo në Europë, përveç Mynihut dhe Parisit, e blen më lirë se këtu.
Kjo situatë është një emergjencë, do t’i japim fund. Ne përmbysim shpërndarjen e buxhetit e të ardhurave kombëtare. Ne do i japim prioritet absolut investimit në burime njerëzore. Do marrim çdo masë që shqiptarët të rikthehen në vendin e tyre, që investimet e tyre të gjejnë sukses. Do të bëjmë gjithçka që fermeri shqiptar të bëhet konkurrent me fermerë të vendeve tjera. Do nxisimin prodhimin dhe përpunimin në këtë sektor ku janë të punësuar gjysma e shqiptarëve.
Do rrisim pensionet në mënyrë substanciale, do vendosim minimumin jetik 200 euro.
Miq, e keni parë Edi Ramën, që për të mashtruar pensionistët vë në anë biznesmenë, në anën tjetër pensionistë. Dhe u thotë, ja këta, thotë, nuk paguajnë sigurimet shoqërore.
Po, a e dini ju që borxhliu më i madh në sigurimet shoqërore është Edi Rama dhe administrata e tij. Çdo pensionist duhet ta dije se sa i detyrohet fondit të sigurimeve, 100 mln euro. Se i mban punonjësit e administratës në të zi. Se ka rritur me 3 herë numrin e punonjësve të administratës vetëm për efekte elektorale, por nuk ua paguan sigurimet shoqërore.
Lufta kundër informalitetit do fillojë nga shteti. Natyrisht, ne jemi qeveri e vogël. Ne jemi konservatorë, qëndrojmë qeveri e vogel.
Pra, ne do përgatisim paketën 100 ditëshe, e cila do ketë një efekt çlirues, transformues në jetën e të gjithë shqiptarëve në nevojë. Do ketë një efekt jashtëzakonisht të rëndësishëm, transformues të të gjithë bizneseve, tek të gjithë fermerët.
Shqipëria është në emergjencë dhe ne do i përgjigjemi asaj me emergjencë.
Faleminderit!
© SYRI.net