Një konflikt i pazakontë ka ndodhur sot në ambientet e Spitalit Rajonal Dibër, ku drejtoresha e këtij institucioni ka sulmuar fizikisht përgjegjësin e financës.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 12:00, shtetasi Shaban Uklala, 37 vjeç, me detyrë Përgjegjës Finance në Spitalin Rajonal Dibër, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Dibër se është goditur me një send të fortë në fytyrë nga drejtoresha e spitalit, shtetasja I.Sh., 44 vjeçe.
Sipas burimeve, konflikti mes tyre nisi me një debat verbal, i cili më pas përshkallëzoi në dhunë fizike. Drejtoresha dyshohet se e ka goditur Uklalën me një shishe, duke i shkaktuar plagë në fytyrë.
Prokuroria raportohet të ketë nisur një procedim penal ndaj drejtoreshës së spitalit për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Dosja hetimore i ka kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Me datë 11.02.2025, rreth orës 12.00, në Komisariatin e Policisë Dibër është paraqitur shtetasi Sh.U., 37 vjeç, banues në Peshkopi, (me detyrë Përgjegjës finance në Spitalin Rajonal Dibër) dhe ka kallzuar se në ambientet e spitalit pas një konflikti verbal, është goditur me një send të fortë në fytyrë nga shtetasja I.Sh., 44 vjeçe, banuese në Peshkopi, (me detyrë Drejtoreshë e Spitalit Rajonal Dibër).
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen I.Sh., e dyshuar se ka kryer veprën penale "Plagosja e lehtë me dashje".
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net