Deputeti i PD, Bledion Nallbati, në një takim me emigrantët shqiptarë në New York, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votimin me postë, pasi sipas tij, për ata duhet të jetë shumë e rëndësishme se si qeveriset vendi i tyre mëmë.
Ai tha se janë shqiptarët e Diasporës që e mbajnë në këmbë Shqipërinë me paratë që dërgojnë tek familjarë dhe sipas tij, nuk duhet të injorohet mënyra se si qeveriset vendi.
“Ju që politika ju largoi nga mëmëdheu dhe ju solli këtu kaq larg, mijëra kilometra larg. Dhe këtu pa ndihmën e askujt arritët të jeni shembull suksesi.
Arritët të bënit krenar Shqipërinë, por ju nuk po ju bën krenar Shqipëria për shkak të keqqeverisjes. Duhet të pranojmë disa të vërteta që janë të hidhura që duhet t’i pranojmë.
Shpesh jemi menduar se do t’ia dalim pa ju por ja që historia tregoi që nuk ja dolëm pa ju. Por ju vetëm pa suportin e shteti ja dolët.
Sot e keni mundësin të na jepni dhe ne një leksion me kontributin tuaj sepse ju gjithmonë me, me paratë tuaja që i dërgoni të afërme e keni mbajtur atë vend në këmbë dhe ka ardhur momenti që të kontribuoni edhe në mënyrën se si do qeveriset vendi.
Ne nuk jemi sot këtu për t’ju bërë politikë sot jemi këtu me kokën ulur dhe me dorën shtrirë për të kërkuar ndihmë dhe për t’ju kërkuar të falur për çdo të meta që kemi, na i bëni halla jo për ne, por na i bëni halla për Shqipërinë tonë.
Sot nuk flitet për parti, sot flitet për Shqipëri, situata është kritike dhe e keni ju në dorë, vota juaj është vendimtare ju lutem. regjistrohuni, merrni pjesë në votime ta ndryshojmë të gjithë bashkë Shqipërinë.” tha Nallbati.
© SYRI.net