Nënkryetari i FRPD, Jurgen Spaho, ka komentuar protestën e sotme të të rinjve të FRPD para SPAK, duke kritikuar ashpër këtë të fundit dhe qeverinë. Në një intervistë për Syri TV, ai ka argumentuar se organi i akuzës po vepron me standarde të dyfishta dhe nuk po heton raste të rëndësishme që lidhen me qeverinë.
Sipas tij, drejtësia e re ka dështuar, pasi godet vetëm individë të caktuar, ndërsa lë të paprekur zyrtarët e lartë të pushtetit. Ai ka sjellë në vëmendje denoncimet për shpenzime luksi nga funksionarë qeveritarë, të cilat sipas tij përbëjnë shpërdorim ekstrem të taksave publike. Spaho ka kritikuar gjithashtu mungesën e hetimeve për aferat korruptive, përfshirë çështjen e inceneratorëve dhe krimet elektorale. Ai ka përmendur rastin e kryebashkiakëve të Rrogozhinës dhe Himarës, duke e cilësuar si një shembull të qartë të drejtësisë së njëanshme. Sipas tij, këto probleme kanë ndikuar në largimin masiv të të rinjve nga vendi, për shkak të mungesës së meritokracisë dhe mundësive për punësim.
Spaho:
Simbolika e kësaj proteste ishte e thjeshtë. Ne zgjodhëm të protestojmë përpara SPAK-ut, sepse SPAK-u është përgjegjës të hapë hetimet pas një denoncimi që është bërë në media nga ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, krahu i djathtë i kryeministrit, për disa akuza shumë të rënda. Në gjykimin tim, konsumimi i një vere në vlerën 33 mijë euro është një shpërdorim i frikshëm taksash. Një ndeshje në NBA, në vlerën 20 mijë euro bileta e ndeshjes, dhe kjo, në gjykimin tim, është situatë shumë e keqe.
Sa i përket hetimeve, SPAK duhet t’i kishte hapur hetimet pa qenë nevoja të bënim protestën.
Drejtësia e re, për mendimin tim, ka dështuar në mënyrën më të suksesshme të mundshme, sepse ajo po godet vetëm njerëzit që nuk janë të lidhur me elitën politike, me kryeministrin, me zëvendëskryeministren e sotme dhe me njerëz të tjerë të kabinetit të tij.
SPAK po vepron në mënyrë shumë të shpejtë për një shkarkim nga puna, ndërsa ka 5 vite me Erion Veliajn, me inceneratorin, nuk po vepron me bandën 5D, nuk po vepron me krimet elektorale, ku për të njëjtin krim kryebashkiaku i Rrogozhinës është sërish kryebashkiak, ndërsa kryebashkiaku i Himarës bëri burg. Domethënë, nuk kemi si ta besojmë një situatë të tillë.
Të rinjtë shqiptarë kanë emigruar nga papunësia, nga mungesa e meritokracisë, nga disa provime fiktive të portalit, siç edhe qeveria i ka quajtur, për punësimet.
© SYRI.net