Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zbardhur takimet gjatë kongresit të CDU, nisur nga kancelari i ardhshëm Friedrich Merz dhe drejtuesit e forcës kryesore politike të Gjermanisë. Sipas Berishës, në këto takime ka konfirmuar mbështetjen e CDU-së për Partinë Demokratike dhe vendin. Rikthimin e CDU-së në pushtet Berisha e cilësoi si fitoren e dytë më të rëndësishme pas Donald Trump, që sipas tij është një ogur i fitores së 11 majit.
SYRI TV
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha i cilësoi një hap të rëndësishëm drejt fitores së opozitës, takimet gjatë kongresit të CDU, nisur nga kancelari i ardhshëm Friedrich Merz dhe drejtuesit e forcës kryesore politike të Gjermanisë. Në konferencën me gazetarët, Berisha teksa shprehu mirënjohje për mbështetjen e CDU-së për Partinë Demokratike, theksoi se kjo marrëdhënie mes partive simotër është një nxitje për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Për protestën e datës 8 Shkurt, në orën 17:00 përpara Kryeministrisë, Sali Berisha u shpreh se opozita nuk do të ndalet deri sa të realizojë rotacionin politik në vend.
Sa i takon ndryshimeve në kodin elektoral për votën e diasporës, Berisha deklaroi se nuk do të lejojnë asnjë ndryshim nëse nuk pranohet amendamenti që të votojnë emigrantët me pasaporta biometrike të vendit ku jetojnë.
Në lidhje me sanksionimin e vendosur nga DASH, lideri i opozitës bëri me dije se do të nisë lobimin për heqjen e non gratës pasi të plotësohet administrata e re.
Sali Berisha deklaroi se po punohet edhe për rregulloren e primareve në Partinë Demokratike, ndërsa u shpreh se po vijojnë negociata me aleatët për mënyrën se si do të futen në zgjedhjet parlamentare.
© SYRI.net