Jo vetëm interesat dhe komisionet jashtë çdo parashikimi ligjor dhe abuizive, por skema e mikrokredive, duket se kishte një qëllim të qartë, rrëmbimin e pronave të qytetarëve fatkeq. Dhe kjo duke përdorur institucionet shtetërore, përmbarimin dhe Agjencinë Kombëtare të Kadastrës, që në unison kanë lejuar zhvatjen e pronave kundrejt ankandeve fiktive dhe me çmime qesharake. Janë plot 2 mijë ankande të paligjshme, për të cilat Ministria e Drejtësisë mbylli sytë.
Ekzistonte edhe një databazë, të cilës i kishin vënë emrin “Gazeta,” me numra telefoni dhe adresa të shtetasve të ndryshëm. Databaza mbahej nga Olsi Ibro në një hard disk të jashtëm në zyrën e tij dhe aksesohej nga stafi nëpërmjet rrjetit të brendshëm. Në këtë soft kishte shumë të dhëna. Për shembull, mund të kërkoje lidhjet familjare të debitorëve (vëllezërve dhe motrave). Por ndonëse këto të dhëna identifikohen përmes deklarimeve të punonjësve të shoqërive, gjatë këqyrjes së sistemeve kompjuterike, ky soft nuk është gjetur.
DOSJA HETIMORE
“MCA, në bashkëpunim me ADCA-në, kanë përdorur njoftimet masive të debitorëve (njoftime me shkresa, veprim tipik përmbarimor që duhet të kryhet vetëm nga përmbaruesit), marrjen në telefon dhe kërcënimin e gjithë rrethit familjar, pavarësisht se familjarët nuk kanë qenë kredimarrës, garantor apo dorëzanës në kreditë e blera nga MCA apo Final. Në çdo dosje gjendeshin të dhëna personale të detajuara për një rreth të gjerë familjarësh. Gjithashtu, vendoseshin sekuestro të llogarive bankare për një afat të palimituar (edhe të llogarive të pagave, duke mos respektuar as minimumin jetik), si dhe sekuestrime masive të pronave pa asnjë lidhje logjike dhe ekonomike me vlerën e detyrimit. Për shembull, për vlera shumë të vogla, edhe në shumën 5,000 lekë, sekuestroheshin apartamente apo sipërfaqe të mëdha tokash truall/arrë nga shoqëritë përmbarimore “Star/FS” dhe “FLASH.”
Pas kallëzimeve të shumta, ministria e Drejtësisë, hoqi pothuajse të gjitha licencat përmbaruesve që punonin në “SHP ZiG,” “FS” dhe “FLASH.” Përfaqësuesja e Drejtorisë Përmbarimore Dega Tiranë Anxhela Doleqi, provon faktin se qytetarët duke mos ditur ku të adresoheshin, shpesh trokisnin në këtë drejtori.
Pas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për të dorëzuar dosjen, ato mbërrijnë me thasë a thua të ishin mbeturina dhe hidhen më hollin e ministrisë.
Më datë 14.10.2019, në mëngjes, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë është paraqitur shtetasi Gentjan Kamberi, i cili ka kërkuar të dorëzojë disa thasë me dosje përmbarimore, pa treguar se në emër të kujt po kryente dorëzimin. Veprim ky në kundërshtim me ligjin “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat,” si dhe me udhëzimin e Ministrit të Drejtësisë. Fillimisht u dorëzuan rreth 6 thasë të zinj me qese plehrash nga Gentjan Kamberi
“I gjeta këto dosje aty përjashtë dhe i solla këtu… Kush do i marrë… nuk e di të kujt janë.”
Kërkohet ndërhyrja e Policisë së Shtetit dhe në këtë fazë Gentjan Kamberi bëhet më i qartë për aktivitetin e tij por jo vetëm.
“...Isha dërguar për të dorëzuar thasët me dosje origjinale përmbarimore nga shtetasi Arben Meskuti, që ka adresën e selisë ngjitur me Ministrinë e Drejtësisë, në godinën e Qendrës së Biznesit “Star”. Ky shtetas mi ka sjellë thasët me dosje origjinale përmbarimore”
Dy ditë më pas, dhe në vijim, në ambientet e brendshme të pritjes me publikun në Ministrinë e Drejtësisë, janë paraqitur disa shtetas të tjerë, të panjohur midis tyre, dhe shtetasi Gentjan Kamberi, të cilët shkarkuan tashmë 104 thasë qese të zeza.
Arben Meskuti kishte lëshuar dhe një prokurë për dorëzimin e tyre nga Gentian Kamberi. Brenda tyre ndodheshin me mijëra dosje përmbarimore që janë shkarkuar dhe braktisur demonstrativisht. Ish-përmbaruesit Arben Meskuti, Alban Kote, Albert Gega, Roland Deda, Kejda Seferi dhe Alketa Tanushi nuk kanë pranuar as t’i hapin, as t’i numërojnë, as t’i dorëzojnë dhe as t’i identifikojnë si të tyret këto materiale dhe arkiva përmbarimore.
Nga kontrolli i ushtruar në dosjet e braktisura Ministria e Drejtësisë ka konstatuar një sërë problematikash, përtej atyre të konstatuara si shkaqe për heqjen e licencës së përmbaruesve të shoqërive përkatëse. Organi hetues thotë se masat ndëshkuese nuk kanë ndikuar për ndalimin e këtij aktiviteti kriminal.
Avokati Elis Bilali, për thotë se nga radhët e këtyre të fundit, jo më kot shigjetoheshin ata në pamundësi ekstreme ekonomike.
Siç dhjetra llogari bankare që mbaheshin të bllokuara edhe në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës, mijëra prona edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të sekuestrura, për shkak se përmbaruesit nuk dorëzuan dokumentacionin.
Dokumentacioni përmbarimor prodhohej në zyrat e këtyre shoqërive nga punonjësit e tyre dhe vetëm firmosej dhe vulosej nga përmbaruesit. Këta të fundit nënshkruan urdhrat e sekuestrimit por, i gjithë dokumentacioni postohej në banka apo në ASHK. Përmbaruesit as nuk kishin mundësi dhe as nuk ndiqnin procedurën përmbarimore sepse qëllimi i lëshimit të akteve nga përmbaruesit nuk ishte zhvillimi i një procedure normale përmbarimi por detyrimi i qytetarëve të lidhin kredinë të re, e cila rriste disa herë detyrimin e tyre.
Dosja hetimore aprovon pikë për pikë atë që pretendon denoncuesi jonë, që përtej sekuestrimit të pasurisë, prëmbaruesit vijojnë vjeljen...
DOSJA HETIMORE
“Pavarësisht se një debitor ka llogari bankare të bllokuara nga sekuestroja preventive, pavarësisht së në llogaritë e tij bankare gjenden vlera monetare të mjaftueshme për vjeljen e detyrimit, pavarësisht se këtij qytetari i është shitur prona në ankand për një vlerë minimale detyrimi, përmbaruesi i rradhës vazhdon të vendosë sekuestro preventive mbi pasuri të tjera (për shkak se sistemi kompjuterik që gjeneron sekuestron preventive, “nuk e shikon dot” shitjen/kalimin e pronës në ankand)”.
Veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve apo shoqërive ka arritur kulmin në vitin 2023, ku 711 prona të identifikuara deri tani por numri akoma nuk është shterues, kanë kaluar me procedura fiktive ankandi, në pronësi të shoqërisë “MCA” apo “Final”.
Për një detyrim fare minimal, qytetarëve u janë bllokuar llogaritë bankare, sekuestruar automjeti dhe prona, pavarësisht se do të mjaftonte veç tërheqja e detyrimit nga llogaritë e bllokuara. Mostërheqja e detyrimit nga llogaritë, por kryerja e ankandeve fiktive për marrje pronash duket se ishte qëllimi në vetvete e kësaj skeme. Prona të cilat më pas regjistroheshin në emër të shoqërive “MCA”apo “Final”, përkundrejt vlerave qesharake.
Këtu mund të përmendim edhe rastin e shtetasit P. S, i cili sipas informacionit që jep MCA kishte një detyrim në shumën 88 mijë lekësh. Për këtë detyrim, këtij shtetasi iu sekuestruan llogaritë bankare, automjeti, shtëpia e tij dy kate, plus papafingo si dhe 500 m² truall. Pavarësisht sekuestrimeve, detyrimi nuk u cilësua i shlyer dhe në vitin 2024 përmbaruesi Altin Vako i sekuestron edhe 5 pasuri të tjera për një detyrim i cili ende mbetet mister.
Gjatë vitit 2023, rezulton të jenë kryer më shumë se 2000 ankande fiktive, dokumentacion i prodhuar fiktivisht në zyrat e shoqërisë MCA/ Final /ADCA me urdhërin e Olsi Ibros. Pronat e paluajtshme janë shitur edhe në vlera minimale prej 50,000 lekësh.
© SYRI.net
‘Diaspora është me ju 100%’, shqiptaro-kanadezi: Zgjidhja për Shqipërinë është në këtë protestë - SHORTS