SYRI TV/ Kokaina e Xibrakës, SPAK: Nuk ka prova për Olsin

21:13, 10/01/2025

Prokuroria e Posaçme amniston vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën për dosjen Xibraka. Edhe një herë SPAK ka dëshmuar se është në funksion të kryeministri Rama dhe qeverisë së tij, duke pezulluar hetimet për Olsi Ramën duke pretenduar  se nuk ka prova dhe fakte që ai të jetë i përfshirë në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Ndërkohë që opozita ka denoncuar me prova konkrete udhëtimet e Olsi Ramës me drejtuesit e grupit të Xibrakës dhe të dhënat nga sistemi TIMS ku Olsi Rama dhe drejtuesit e trafikut të Kokainës kanë përdorur të njëjtën makinë.

SPAK ka dëshmuar sërish sot se është në funksion të kryeministri Edi Rama dhe familjarëve të tij. Prokuroria e posaçme ka amnistuar vëllain e kreut të qeverisë, Olsi Rama i cili rezultonte i përfshirë në grupin e kokainës  së Xibrakës. Në një njoftim të shpërndarë për gazetaret SPAK pretendon se nga hetimet që ky organ thotë që ka kryer ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin Olsi Rama me aktivitetin kriminal, me dosjen e Xibrakës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, të regjistruar pas rifillimit të hetimeve të pezulluara të procedimit penal nr. 335/1 të vitit 2016. Ky procedim lidhej me veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës. Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë. Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve. 

Ndërkohë që rifillimi i hetimeve nga SPAK është bërë pas informacioneve dhe provave që kë dërguar në prokuroi kreu i grupit parlamentar të PD, gazmend Bardhi. Ky i fundit denoncoi me prova përfshirjen  e Olsi Ramës në trafikun e kokainës ne dosjen Xibraka. Pjesë e provave që publikoi Bardhi janë kontaktet e Olsi Ramës me drejtuesit e grupit Genci Xhixha dhe Ermal Hoxha, takimet e survejuara nga agjentët e Policisë por edhe hyrje-daljet në kufi me të njëjtën makinë.  Ndër provat kryesore, veç vëzhgimeve të agjentëve në terren janë edhe të dhënat nga sistemi TIMS ku Olsi Rama dhe drejtuesit e trafikut të Kokainës përdorën 18 herë automjetin me targa AA653DM. Një muaj më parë edhe kryetari i PD, Sali Berisha publikoi të dhëna se si Oldi Rama ka udhëtuar me makinën e klanit të Xibrakës.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco