Skandali i fundit me mandarinat shqiptare, të kthyer nga Kroacia për shkak të pesticideve të ndaluara, ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë ushqimore në vend. Gazetari Julian Hoxhaj, i ftuar në “Edicionin e Mesditës” në Syri Tv me moderatorin Bledi Marku, theksoi se kjo situatë nuk prek vetëm sektorin bujqësor, por vë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve shtetërore.
Institucione si AKU-ja, doganat dhe tatimet kanë dështuar të ndalojnë përdorimin e pesticideve të rrezikshme që futen në vend. Hoxhaj e cilësoi këtë si një problem që nis nga baza, duke akuzuar shtetin për mungesë kontrolli dhe masa të pamjaftueshme.
Sipas Hoxhjat, problemi është përshkallëzuar me kthimin e 80 tonëve mandarina nga Kroacia, ku një pjesë janë asgjësuar, ndërsa pjesa tjetër është ende në proces. Bashkimi Europian ka identifikuar për herë të parë problemin më 11 dhjetor, duke lajmëruar institucionet shqiptare për rrezikun, megjithatë, për dy javë, produkti vazhdoi të konsumohej në tregun shqiptar.
JULIAN HOXHAJ:
Këtu kemi të bëjmë me një skandal të madh që vë në pikëpyetje jo vetëm sigurinë ushqimore të vendit, e cila tashmë ka kohë që është vënë në pikëpyetje dhe është një nga problemet më të mëdha, por vë në pikëpyetje, në një farë mënyre, edhe vetë shtetin, ekzistencën e tij dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.
AKU-ja, institutet veterinare, doganat dhe tatimet janë një sërë institucionesh që duhet të kontrollojnë jo vetëm mandarinat që eksportohen e që më pas rezultojnë me ngarkesë të lartë pesticidesh, por fillimisht duhet të identifikojnë dhe zgjidhin problemin në gjenezë. Problemi në gjenezë është pikërisht futja e pesticideve të ndaluara nga Bashkimi Europian në territorin e Shqipërisë.
Edhe nëse këto pesticide nuk futen me autorizim, sërish kemi të bëjmë me dështim të shtetit, sepse është po shteti ai që duhet të ndalojë futjen kontrabandë të këtyre pesticideve dhe helmeve që janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Ajo çfarë ka ndodhur me mandarinat është se tashmë që jemi pothuajse në fund të sezonit të tyre, një nga llojet “klementin” të mandarinave është gjetur me pesticide në treg. Në Kroaci, brenda pak ditësh, janë bllokuar rreth 4 kamionë me një total prej 80 tonë mandarinash. Një prej këtyre kamionëve u kthye në zonën e Lushnjës dhe u asgjësua, ndërsa 3 të tjerë janë ende në proces. Një kamion është asgjësuar në Kroaci dhe dy të tjerë po priten për të njëjtin fat.
Mandarinat shqiptare kanë rezultuar të kontaminuara me pesticide dhe helme të rrezikshme, të përdorura gjatë periudhave të ndryshme të rritjes, si në lulëzim apo në faza të tjera.
Një nga problemet kryesore është se Bashkimi Europian ka identifikuar për herë të parë këto ngarkesa më 11 dhjetor, pas së cilës u identifikua edhe një ngarkesë e dytë. Në momentin që bëhen analizat dhe dalin rezultatet, institucionet lajmërohen menjëherë për të marrë masa dhe për të bllokuar ngarkesat e tjera. Sigurisht, edhe publiku duhet të njoftohet për rrezikun.
Por, pavarësisht kësaj, shteti shqiptar ishte në dijeni të situatës dhe çuditërisht lejoi që për dy javë të vazhdonte konsumimi i këtij produkti në tregun tonë.
Problemi kryesor qëndron te mungesa e masave nga ana e shtetit shqiptar për të ndaluar në mënyrë kategorike konsumin e mandarinave, siç ka ndodhur në raste të tjera kur është dashur ndërhyrje e menjëhershme. Në këtë rast, shteti nuk e ndaloi konsumin e produktit, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
© SYRI.net
‘Diaspora është me ju 100%’, shqiptaro-kanadezi: Zgjidhja për Shqipërinë është në këtë protestë - SHORTS