Skandali i mandarinave me pesticide/ Genc Juka: Mungojnë protokollet sipas standarteve të BE

10:59, 25/12/2024

Në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto, ish-drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Genc Juka, ka komentuar mbi skandalin e fundit që lidhet me kthimin e mandarinave shqiptare nga Kroacia për shkak të pranisë së pesticideve të ndaluara.

Ai theksoi se problemi nuk qëndron vetëm te dërgesat specifike, por te cilësia e përgjithshme e produkteve bujqësore në vend. Sipas Jukës, Shqipëria, si një vend me status në Bashkimin Europian, ka përgjegjësi për ndërtimin e institucioneve të besueshme dhe zbatimin e rregullave të përcaktuara. Ai kritikoi mungesën e zbatimit të protokolleve të integruara për kulturat bujqësore, si dhe mungesën e përgjegjësisë institucionale për këtë situatë.

Juka argumentoi se ministria e Bujqësisë duhet të verifikojë rregullisht zbatimin e protokolleve nga fermerët përmes regjistrimit të plotë të praktikave bujqësore. Ai theksoi se shërbimi i ekstensionit duhet të luajë një rol aktiv në edukimin e fermerëve për metodat e lejuara dhe të kontrolluara të trajtimit të produkteve.Më tej, Juka kërkoi ndëshkime penale për ata që përdorin preparate të ndaluara, duke e cilësuar këtë si një standard të domosdoshëm për përmbushjen e detyrimeve ndaj BE-së.

Genc Juka:

Nuk është problem vetëm i kontingjenteve me mandarina që kthehen; problemi është më i gjerë dhe lidhet me cilësinë e produktit në përgjithësi.
Shqipëria, tashmë si një vend me status në Bashkimin Europian, ka detyrime konkrete.

Nuk mund të thuhet më “jemi duke mësuar”. Është përpjekur të përafrojë legjislacionin dhe të ndërtojë institucione, por këto institucione duhet të jenë tashmë të besueshme.
Në Europë, institucionet, sidomos ato të sigurisë ushqimore, nuk funksionojnë duke kontrolluar njëri-tjetrin dhe duke bërë analiza në çdo moment. Një nga kriteret kryesore për përafrimin e legjislacionit me BE-në është ndërtimi i institucioneve të besueshme, të cilat aktualisht mungojnë.

 

Në këtë kontekst, ministria e Bujqësisë ka një numër të madh njerëzish në shërbimin e ekstensionit, por ne ende kemi vetëm dy kategori të prodhimit bujqësor: konvencional dhe të integruar, ku ky i fundit është shumë i pakët.
Prodhimi i integruar nënkupton ndjekjen e protokolleve të caktuara. Për shembull, në kirurgji, operimi i stomakut ndiqet nga një protokoll që përshkruan hap pas hapi çdo procedurë dhe medikament. Po ashtu, duhet të ekzistojë një protokoll për trajtimin e kulturave bujqësore, si mandarinat.

 

Ka pasur përpjekje nga Katedra e Mbrojtjes së Bimëve në Universitetin Bujqësor për hartimin e protokolleve për disa kultura, por tani është koha të krijohen protokolle për të gjitha kulturat. Për shembull, për mandarinat duhet të përfshihen:
• Analizat e tokës dhe balanca për të shmangur mbetjet.
• Metodat e plehërimit.
• Trajtimi i sëmundjeve dhe dëmtuesve, duke iu referuar pesticideve dhe periudhës së përdorimit të tyre.

 

Këto të gjitha duhet të shkruhen në një protokoll dhe shërbimi i ekstensionit duhet ta zbatojë atë, duke u siguruar që fermerët të përdorin metoda të rregullta dhe jo preparate nga kontrabandistët apo tregu i zi.
Kthehemi sërish te ministria e Bujqësisë dhe pyesim: “Ju që jepni certifikatat për sigurinë ushqimore, si e vërtetoni që fermeri ka zbatuar të gjithë protokollin? Ku është libri i fermës?”
Nuk mund të vazhdojë më historia e “ndodhi dhe u kthyen”. Ai që ka trajtuar mandarinën me preparate të ndaluara duhet të përgjigjet penalisht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco