'Gjykata e Strasburgut kundër mbylljes së platformave'/ Llangozi: TikTok ka shërbyer për denoncimin e korrupsionit, mbyllja është censurë

'Gjykata e Strasburgut kundër mbylljes së platformave'/ Llangozi: TikTok ka shërbyer për denoncimin e korrupsionit, mbyllja është censurë

11:28, 23/12/2024

Avokati Arben Llangozi, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka diskutuar mbi vendimin e debatueshëm për mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri. Ai ka theksuar se mbyllja totale e një platforme të tillë përbën një shkelje të rëndë të së drejtës për informim dhe të lirisë së shprehjes, duke iu referuar praktikave të mëparshme të Gjykatës së Strasburgut.

Llangozi ka argumentuar se mbyllja e TikTok-ut është një goditje ndaj zërave kritikë, duke prekur jo vetëm qytetarët, por edhe opozitën dhe partitë politike, të cilat shpesh përdorin këtë platformë për të denoncuar korrupsionin dhe aferat qeveritare. Ai ka nënvizuar se ky vendim duket se lidhet më shumë me interesat personale të kryeministrit, sesa me një shqetësim të sinqertë për mbrojtjen e të miturve.

ARBEN LLANGOZI:

Gjykatat, dhe sidomos Gjykata e Strasburgut, kanë trajtuar raste të tjera analoge. Konkretisht, ka pasur dy raste të cilat janë shqyrtuar nga Gjykata e Strasburgut, e cila ka vendosur se mbyllja totale e një platforme të tillë përbën shkelje të rëndë të së drejtës për informim apo të lirisë së shprehjes. Kjo sepse jo çdo përmbajtje në një platformë përmban video që cenojnë jetën e një personi apo që përfshijnë problematika të tilla si ato që pretendon kryeministri, duke përmendur cenimin e jetës së të miturve.

Gjykata e Strasburgut ka theksuar se mbyllja totale nuk është forma e duhur e kontrollit. Nëse një llogari personale krijon problematika, ajo mund të mbyllet individualisht, por jo e gjithë platforma, pasi kjo përfshin edhe faqe edukative, denoncuese apo kritike ndaj qeverisë.

Gjithashtu, nuk duhet harruar se shumë parti politike përdorin llogaritë e tyre në këto platforma për të denoncuar përditë aferat e qeverisë. Nëse kjo e drejtë cenohet, a do të cenohet liria e shprehjes? Padyshim që po. A do të cenohet opozita? Sigurisht që po.

Gjykata e Strasburgut e ka konsideruar të papajtueshme me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut vendime të ngjashme dhe i ka shfuqizuar ato. Po kështu, çdo vendim apo akt normativ që synon mbylljen e platformës TikTok pritet të shfuqizohet.
Është e pabesueshme të pretendohet se kryeministri ynë interesohet për fëmijët. Nëse do të kishte një problematikë kaq të madhe, ai do të kërkonte zgjidhje më të mirë sesa mbylljen e TikTok-ut.

Në të vërtetë, ky vendim duket se lidhet me interesat personale të tij, të cilat po demaskohen dhe publikohen përditë në këtë platformë. Nuk duhet harruar se përmes TikTok-ut janë denoncuar një sërë skandalesh, përfshirë lidhjen e vëllait të tij me trafikun e drogës, përfshirjen e Arben Ahmetajt në aferën e inceneratorëve dhe hetimet ndaj Ogerta Manastirliut për çështjen e sterilizimit.

Në një situatë ku censura mediatike është evidente dhe vetëm SYRI publikon këto afera, TikTok-u ka mbetur një hapësirë e rëndësishme për denoncimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve qeveritare. Për këto arsye, mendoj se nuk ekziston asnjë bazë ligjore për të mbyllur këtë platformë, pasi Gjykata Evropiane ka vendosur në dy raste të tjera se mbyllja e saj është në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco