Erjon Veliaj është shfaqur në gjendje të drobitur, rrugës së kthimit nga Gjermania, ku sipas një njoftimi të Bashkisë Tiranë, ishte atje për të takuar kryetarin e Bashkisë së Hamburgut. Fotoja e shkrepur në avionin e linjës për në Tiranë tregon qartazi dhe gjendjen në të cilën ndodhet Veliaj. Kjo gjendje nuk përngjason dhe aq shumë me foton e tigrit energjik të publikuar në pikë të mëngjesit në Instagramin e tij. Ajo foto, u publikua pikërisht në momentet kur në derën e shtëpisë së Erjon Veliaj, aktualisht Kryetar i Bashkisë së Tiranës, kishin trokitur “kolegët” e BKH, për kontroll.
E pra, fotoja e shkrepur në avionin e linjës, nuk ngjason hiç me atë të tigrit. Aty shfaqet një Veliaj i lodhur dhe jo pak i shqetësuar nga zhvillimet e Tiranës. Natyrisht, kohët për të janë të vështira. Protektori i tij, ai që e mori nga hiçi dhe e bëri sheik, se ka shumë mendjen te hallet e Veliajt, ndërkohë që po i vjen mendja vërdallë, nga akuzat dhe zullumet ku është futur. Çështja e të vëllait në Xibrakë , Bechetti, koncesionet, e më the e të thashë janë një faturë në kurriz të shqiptarëve, nga të cilat zor se do shpëtojë. Për të dalë nga kjo valle se ka shumë problem ta vërvisë Veliajn apo të ngjashmit e tij, atje ku do e kenë vështirë të dalin.
Nuk mund ta ndihmojnë as “kolegët” e BKH e SPAK, të cilët u bënë copash deri më tani që ta mbajnë jashtë hekurave të burgut. S’kanë çfarë i bëjnë më shumë. Shumë e mbajnë mend, kur Veliaj deklaronte se për të ka “100 denoncime në SPAK” por asnjë akuzë. Por një fjalë e urtë thotë se “po kërceve hu më hu, tek njëri do ngecesh”. Dhe “kolegët” e tij në këtë situatë nuk e ndihmojnë, sepse do i duhet të zgjedhin se kë do çojnë në birucë, veten apo Veliajn.
Gjendja e Veliajt e tregon më së miri se këto nuk janë hamendësime. Duket qartë se kjo është një betejë që ai nuk e fiton dot. Natyrisht, të abuzosh me paratë e qytetarëve, ta kthesh kryeqytetin në lavatriçe të pastrimit të parave të drogës, të ndjekësh verbërisht Edi Ramën në paligjshmërinë e tij, goditja do të vijë një ditë andej nga se pret. Sot i erdhi nga “kolegët”, nesër ndoshta nga ndonjë agjensi tjetër ligjzbatuese e vendeve partnere. Për fatin e keq të Veliajt, në krye të tyre nuk janë diplomatë që pozojnë me të nga anijet e ushtrisë apo ‘yahtet’ e oligarkëve. Ajo kohë ka marrë fund, dhe për Veliajn dhe për Ramën.
Gjithsesi pavarësisht çfarë themi, ajo çka është e sigurt në të gjithë këtë mesele është fakti se epoka Veliaj po përfundon në mënyrën më të turpshme të mundshme. Erjon Veliaj nuk është ai tigri plot jetë dhe energji i mëngjesit, por thjeshtë një kotele e menderosur në linjën Hamburg-Tiranë.
© SYRI.net
‘Diaspora është me ju 100%’, shqiptaro-kanadezi: Zgjidhja për Shqipërinë është në këtë protestë - SHORTS