Festa e Flamurit e gjen Mirditën e qëndresës të ‘pushtuar’ nga ngjyrat kuq e zi!

15:30, 27/11/2024

“Sundimi i gjatë osman, pas vdekjes së Skënderbeut, kishte ndikuar që bashkë me kujtimin e tij të harroheshin gradualisht edhe simbolet e tij, përfshirë flamurin me shqiponjën dykrenore. Ato mund të gjendeshin vetëm në arkivat e pluhurosur të Evropës. I vetmi vend në trojet shqiptare ku u ruajt kujtesa për flamurin kuq e zi të Skënderbeut, gjatë sundimit osman, ishte Mirdita. Kur prijësit e saj erdhën në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878, ata sollën edhe flamurin me shqiponjën dykrenore, të cilin me shekuj e kishin ruajtur duke e gdhendur në gurët e mureve të kullave”

Kështu do të shkruante pak  vite më parë gazetari ish luftëtar i UÇK dhe studiuesi i njohur nga Prishtina, Blerim Latifi, duke postuar dhe një foto të vjetër të flamurit kombëtar.

Në vigjilje të festës së Flamurit qyteti i Rrëshenit është veshur i tëri kuq e zi, ku një flamur gjigand ka mbuluar godinën e Bashkisë Mirditë.

Sheshi “Abat Doci” u kthye në skenën e hapur të një shfaqje patriotike me protagonist fëmijët e kopshtit, shkollave 9 -vjeçare dhe të gjimnazit, ky kryefjalë ishin këngët patriotike, vallet popullore dhe kostumet e larmishme të kësaj treve që së fundmi janë shpallur Kryevlerë Kombëtare.

Me qindra qytetare kishin dalë për tu bërë dëshmitare të kësaj shfaqje patriotike, në një treve ku eksodi dhe mungesa e vëmendjes nga Tirana Zyrtare vijojnë të jenë një problem madhor.

Ndërkohë edhe në datën 28 Nëntor është parashikuar një ditë festë në Mirditë, ku do ketë një koncert të organizuar nga Bashkia Mirditë ku të ftuar do jenë këngëtarë ndër më të njohurit në trojet shqiptare.

Mirdita, krahina simbol e qëndresës kombëtare,  vitet e fundit ka filluar të kthehet në një magnet të turizmit patriotik ku kryefjalë është historia e pasur e kësaj treve dhe ansambli i figurave patriotike, shumë prej  të cilëve janë përjetësuar në muralen gjigande të Rubikut.

Kullat shekullore, ku u ruajt me shekuj flamuri dhe simbolet kombëtare, natyra e mrekullueshme alpine, kulinaria  si dhe objektet  shekullore të kultit janë kthyer në destinacione për vizitoret, kryesisht nga Kosova, që vijnë të vizitojnë rrënjët e tyre por dhe nga turistët e huaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco