Banda e Suel Çelës u godit nga Europoli, sollën një specialist në Tiranë

Banda e Suel Çelës u godit nga Europoli, sollën një specialist në Tiranë

09:45, 27/11/2024

Banda e Suel Çelës u godit falë punës së bërë nga Europol, agjencia evropiane e luftës kundër krimit.

Në një njoftim thuhet se operacioni nisi pas një analize të mesazheve të kriptuara në aplikacionin SKY ECC.

Komunikimet në këtë platformë ofruan prova të shumta për praktikat korruptive.

“Të dyshuarit dyshohet se kanë luajtur rol kyç në mundësimin dhe mbrojtjen e aktiviteteve të një grupi të dhunshëm kriminal shqiptar që importonte kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë.

Të ardhurat nga këto aktivitete kriminale u pastruan në Shqipëri, ku u identifikuan dhe sekuestruan prona dhe pasuri të shumta të lidhura me rrjetin kriminal.

Ish-gjyqtarja dhe avokati akuzohen për manipulim të proceseve gjyqësore në favor të organizatës kriminale, ndërsa punonjësi i policisë dyshohet se ka nxjerrë informacione sensitive operative. Dy gazetarë besohet se kanë shfrytëzuar pozicionin e tyre për të shpërndarë dezinformata, duke ndikuar në opinionin publik dhe duke minuar hetimet në rrjetin kriminal.

Organizata kriminale ishte e përqendruar rreth një klani familjar, me origjinë nga qyteti i Elbasanit në Shqipëri. Anëtarët e saj janë të njohur për përdorimin e dhunës ekstreme kundër rivalëve, duke përfshirë orkestrimin e sulmeve dhe vrasjeve me snajper si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë vendit,” thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Europol sqaron se një specialist i tyre erdhi në Tiranë për të koordinuar operacionin.

“Në koordinim me autoritetet belge, holandeze dhe franceze, Europol u dërgoi autoriteteve shqiptare pako të inteligjencës nga komunikimet SKY ECC dhe kreu analiza të thella për të zbuluar lidhjet me hetime të tjera të BE-së.

Në ditën e aksionit, Europol dërgoi një specialist në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, për të ndihmuar me koordinimin ndërkombëtar, ndërsa analistët në selinë e tij siguruan kontrolle të drejtpërdrejta të të dhënave për të mbështetur operacionet në vazhdim,” thekson njoftimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco