Anëtarët e opozitës në Komisionin Hetimor për Sterilizimin kanë paraqitur dokumentin ku kërkojnë këtë të mërkurë të dëshmojë Edi Rama në cilësinë e kryeministrit, i cili ka firmosur VKM-në për dhënien me koncesion të këtyre shërbimeve duke mbështetur e promovuar publikisht këto koncesione edhe pas fillimit të çështjes penale nga organet e drejtësisë.
Në dokumentin e publikuar kërkohet thirrja si dëshmitare po këtë të mërkurë edhe e zonjës Vilma Nushi, në cilësinë e pronares së dy kompanive, e cila është pjesë e një prej koncesioneve objekt i veprimtarisë hetimore të këtij komisioni.
Deputetët e opozitës kërkojnë paraqitjen e Vilma Nushit, e cila është përfituese indirekte dhe direkte e 1.5 mln eurove nga dividenti.
Refuzimi i përsëritur nga ana e anëtarëve të mazhorancës në këtë komision, për të thirrur si dëshmitarë z. Edi Rama dhe zonjën Vilma Nushi, për anëtarët e opozitës është tërësisht në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i takon Ligjit për Komisionet Hetimore dhe ligjet në fuqi.
"Komisioni është i detyruar që të thërrasë për të dëshmuar para tij, jo vetëm z. Edi Rama por të gjithë personat për të cilët anëtarët e opozitës, si inicues të këtij komisioni, kanë kërkuar që të paraqiten e të dëshmojnë", thuhet në dokumentet e publikuara.
© SYRI.net
‘Diaspora është me ju 100%’, shqiptaro-kanadezi: Zgjidhja për Shqipërinë është në këtë protestë - SHORTS