Në një intervistë ekskluzive për programin “Task Force” me moderatoren Sonila Meço në Syri TV, drejtpërdrejt nga Majami, Florida, Avenir Peka, drejtues i departamentit të Sigurisë në Partinë Demokratike, komentoi situatën politike në SHBA pas ditës së djeshme të zgjedhjeve.
Ai përshkroi atmosferën aktuale në SHBA, duke theksuar se nuk kishte asnjë shenjë të fushatës elektorale, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë jetën e përditshme. Peka po ashtu foli për qetësinë e jashtëzakonshme dhe për mënyrën se si zgjedhjet e fundit janë zhvilluar paqësisht, ndryshe nga ajo që është pasqyruar në media dhe rrjetet sociale. Ai theksoi se fitorja e Donald Trump ishte plebishitare dhe komentoi mbi sfidat që mund të hasë administrata e re amerikane.
'Siç kam thënë edhe dje, atmosfera këtu është njësoj si dje, nuk ka asnjë shenjë të një fushate elektorale, nuk ka asnjë shenjë të zgjedhjeve. Qytetarët vazhdojnë jetën normale; përveç pak makinave që dolën dje me flamujt e presidentit Trump, nuk ka pasur asnjë shenjë tjetër që mund të dallohej me një sy të lirë nga një qytetar i huaj.
Jeta vazhdon totalisht normalisht. Washingtoni është qendra e pushtetit, dhe sigurisht, Washingtoni është ai që vlon tani, me pjesëtarët e administratës së vjetër, por edhe ata që pretendojnë të jenë pjesë e administratës së re. Kështu, këtu në periferi është një qetësi e jashtëzakonshme dhe e admirueshme.
Ka pasur një proces zgjedhor dje, krejt paqësor, ndryshe nga ajo që kemi parë në media apo në rrjetet sociale. Dhe, me thënë të drejtën, tregon modelin më të mirë që mund të ofrojë Amerika.
Ajo që pritej mbrëmë, ndodhi; rezultati, ndryshe nga ç’pritej, doli menjëherë për shkak se fitorja ishte plebishitare. Pritet që Trump me ekipin e tij të lëvizi shpejt, si në aspektin e politikës së brendshme, ashtu dhe në atë të politikës së jashtme. Por unë nuk besoj se presidenti Trump ka pasur ndonjëherë problem me presidentin Biden apo me zv.presidenten Harris. Problemi i tij ka qenë establishmenti dhe ata që kanë qenë pas tyre.
Dhe besoj se në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot dita më e keqe është për Barack Obamën dhe ata që janë pas tij.'- u shpreh Peka.
© SYRI.net