Masakra në Shkodër/ Rëndohet bilanci i atentatit në Dobraç, ndërron jetë në spital 67-vjeçari Bashkim Basha

Masakra në Shkodër/ Rëndohet bilanci i atentatit në Dobraç, ndërron jetë në spital 67-vjeçari Bashkim Basha

09:28, 03/11/2024

 

Ka shkuar në 4 numri i viktimave nga masakra në Shkodër. Mëngjesin e kësaj të diele ka ndërruar jetë dhe 67-vjeçari, Bashkim Basha, i cili mbeti i plagosur rëndë, nga atentati në Dobraç të Shkodrës, ku viktimë mbeti edhe bashkëshortja e tij, Flutura Basha, së bashku me shënjestrën, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Ngjarja e rëndë është shënuar pasditen e 30 tetorit përgjatë aksit rrugor “Shkodër-Koplik”, ndërsa Policia njoftoi këtë të dielë se Bashkim Basha, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i Hamza Licit dhe Arlind Bushatit ndërroi jetë në spital, ndërsa këta të fundit gjithashtu humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.

Policia thotë se Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Informacion shtesë.

Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.

Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ngjarja e rëndë është shënuar pasditen e 30 tetorit në Dobraç të Shkodrës, në zonën e quajtur 5 Heronjtë e Vigut.

Lici ndërroi jetë në vend si pasojë e plumbave mbi të, ndërsa Arlind Bushati luftoi për jetën në spital për disa orë pasi mori një plumb në kokë.

Lici dhe Bushati po udhëtonin nga Shkodra drejt Koplikut me makinën tip Benz me targa kroate, në momentin që u qëlluan.

Hamza Lici që mbeti i vdekur nga atentati, është vëllai i Ibraim Licit, i kërkuar për vrasje.

Përpara disa ditësh Arlind Bushati denoncoi në polici një atentat të dështuar ndaj tij, në qendër të qytetit të Shkodrës.

Ai po qëndronte jashtë një lokali kur dy të rinj, sipas denoncimit të bërë në Policinë e Shkodrës, i janë afruar me motor dhe i drejtuan armën, por dyshohet se arma u është bllokuar.

Bashkim Basha dhe Flutura Basha kanë qenë duke udhëtuar me motor, kur mjeti tip Benz me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati ka humbur kontrollin dhe i ka përplasur, duke rezultuar fatale për ta.

Për shkak të plagëve të rënda Flutura Basha ka ndërruar jetë, ndërsa bashkëshorti i saj ndërroi jetë të dielën e 3 nëntorit  në spitalin e Shkodrës.

Deri më tani disa persona janë shoqëruar në komisariat, ndërsa ende nuk ka një autor.

Pak më herët Policia e Shkodrës gjeti  një automjet tip Land Rover të shkrumbuar plotësisht, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët në atentatin ndaj Licit. Po ashtu brenda automjettit të djegur në zonën e Grudës së Re në Shkodër, u gjetën dy kallashnikovë, ndërsa 3 pistoleta janë gjetur në automjetin e Licit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco