'U shkarkuan por i detyrohen partisë'/ Hoxhaj: Emra të njohur të bashkisë nën hetim, do të vazhdojnë aktivitetin politik

10:50, 28/10/2024

Në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri TV, gazetari Julian Hoxhaj komentoi mbi shkarkimin e disa drejtorëve të bashkisë së Tiranës dhe implikimet e tyre të mundshme në hetimet që po kryhen nga prokuroria e posaçme.

Hoxhaj theksoi se figura si Kacidhja dhe Ermal Kapllanaj janë tashmë të njohura për publikun dhe të përfshira në dosje hetimore, duke përmendur inceneratorin dhe çështjen 5D.

Sipas tij, këto shkarkime janë një përpjekje për të larguar figurat e dyshuara nga përgjegjësia, ndërsa këto individë, sipas tij, nuk do të heqin dorë nga aktiviteti politik, duke mbetur të angazhuar në fushatën elektorale të ardhshme.

'Së pari, dua të them që si Kacidhja, si Ermal Kapllanaj, edhe personazhe të tjerë, por të paktën këta të dy janë figura që tashmë janë konsumuar në publik dhe në fashikujt hetimorë të disa dosjeve që prokuroria e posaçme ka për bashkinë e Tiranës, duke përfshirë inceneratorin apo dosjen 5D.

Pra, të dy personazhet në fjalë janë emra që tashmë gjenden në fashikujt hetimorë, dhe unë besoj se nëse do të ketë vullnet dhe do të duhet të shkohet më tej, këta do të jenë ndër emrat e parë që do të preken në lidhje me çështjet në fjalë. Sigurisht, edhe unë mendoj që këta janë njerëz që aktivitetin e tyre politik nuk do ta ndalin.

Për sa kohë janë akuzuar se kanë bërë “masakra” në buxhetin e bashkisë së Tiranës, bashkisë më të madhe që ka buxhet më të madh edhe se disa ministri të marra së bashku, kostoja përballë hetimeve do të jetë e madhe, por edhe angazhimi i tyre. Le të themi, ai benefit që kanë marrë nga Erion Veliaj përmes parave – këtu nuk dua të ngre akuzë, por të paktën nga çfarë kemi lexuar dhe kemi denoncuar deri tani, qoftë edhe në emisionin tonë investigativ “Plug” – këta njerëz do t’i shohim përsëri edhe në zgjedhjet e ardhshme të angazhuar, pasi do të duhet të rikthejnë një pjesë të atij benefiti në shërbim të partisë dhe të fushatës elektorale.

Mendoj se ky shkarkim ka dy elemente: së pari, largimi i këtyre personave ndodh në një kohë kur janë intensifikuar hetimet për disa nga dosjet në bashkinë e Tiranës dhe kanë dalë të dhëna të tjera që lidhen pikërisht me afera të tjera dhe pritet të dalin së shpejti.

Së dyti, është ai mekanizmi që: “ne po i largojmë këta njerëz që kur të vijë momenti i arrestimit, të themi se i kemi larguar, e kemi pastruar korrupsionin.” Sigurisht, ky largim në masë bëhet më shumë për të mbuluar arrestimin ose implikimin e tyre me drejtësinë dhe për të thënë që “shiko, ne nuk e dinim çfarë do të ndodhte.”- u shpreh Hoxhaj.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco