VIDEO/ Avenir Peka: Ndërhyrja në TIMS, përgjegjësi e Ramës dhe Ballës

16:38, 10/04/2024

Avenir Peka, ekspert i sigurisë, në një intervistë në Syri TV, tha se ne kemi parë hakerimin e parë të AKSHI-t, u vodhën të dhënat e 900 mijë qytetarëve, që njihet si lista e patronazhistëve.

Peka tha se ky ekspert IT ka një histori me hakerimet apo me vjedhjen e të dhënave, dhe duhej të ishte në burg që në momentin kur u hakeruan të dhënat nga AKSH.

“Ervin Muça ka mbrojtje politike, u emërua nga Taulant Balla, mori gradën e lartë në Policinë e Shtetit, pa pasur certifikatë sigurie. Ai ndenji në punë edhe pas skandalit, çka do të thotë se ka pasur një presion politik që Ervin Muça të rrinte në punë”, tha Peka.

Referuar vjedhjes së të dhënave të sistemit TIMS, Peka tha se ky sistem është hakeruar apo vjedhur edhe më parë.

“Është folur për iranianët, por ne nuk e dimë se kush janë këta iranianë, përveç një kanali në Telegram që ata thonë hakeruam këtë sistem, dhe kush qëndron pas tyre.

I njëjti që vodhi sistemin e AKSH-it, u transferua në Policinë e Shtetit. i takon Prokurorisë që të zbardhë se për çfarë janë përdorur këto të dhëna të vjedhura. Edi Rama dhe Taulant Balla janë përgjegjësitë e këtij skandali, qoftë personalisht, qoftë politikisht, qoftë edhe juridikisht”, tha Peka.

Sipas tij, problem më i madh nuk është vetëm vjedhja e të dhënave, por u vodhën software-t, dhe për këtë duhet të përgjigjen qoftë ky që e ka bërë, ashtu edhe Taulant Balla, Edi Rama, etj, që e kanë urdhëruar për ta bërë këtë.

Ai u shpreh se vjedhja apo ndërhyrja në sistem mund të ketë lidhje me fshirjen e të dhënave, duke pasur parasysh se sistemi TIMS tregon se kush ka lëvizur, në shoqërinë e kujt ka lëvizur.

“Është një sistem që ka kushtuar 24 mln dollar, është një sistem që është kontrolluar edhe nga audituesit amerikanë. Pra ka siguri maksimale. Problemi që ka ai sistem është fakti se ata që duhej ta ruanin, kanë ndërhyrë”, tha Peka.

Ai u shpreh se arrestimi i tij është bërë për të mos lejuar Komisionin Hetimor për sistemin TIMS që ta marrë në pyetje.

"Ai ishte në detyrë, sapo nisi komisioni hetimor punën dhe emri i Ervin Muçës ishte në listë për tu pyetur, ai arrestohet dhe besoj se është një veprim që bëhet për të penguar punën e hetimit parlamentar", tha Peka. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco