Erion Veliaj, 'pronari faktik' i hotelit të 5D

Erion Veliaj, 'pronari faktik' i hotelit të 5D

12:06, 01/04/2024

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tashmë i gjetur në vështirësi pas hetimeve të SPAK-ut, të cilat kanë dërguar në pranga të gjithë drejtorët e tij, bashkëpunëtorët e ngushtë, ka mohuar të jetë pronari i një hoteli që po ndërtohet në Durrës nga drejtori i tij, Redi Molla.

Ky i fundit është një njeri, i cili ka shumëfishuar pasurinë duke qenë në poste drejtuese në Bashkinë e Tiranës dhe është fshehur pas kompanisë “5D”, e cila ka fituar miliona euro me tenderë, në bashkëpunim me të tjerë drejtorë të bashkisë, si Mariglen Qato apo Taulant Tusha.

E vërteta e aksioneve të hotelit

Veliaj ka mohuar të jetë pronari i hotelit në Durrës. Patjetër, askush nuk ka dyshime se Erion Veliaj është aq budalla sa të shkojë të regjistrojë një hotel në emër të tij dhe të ketë aksionet e regjistruara në emër të tij.

Pikërisht kjo është e vërteta. Erion Veliaj nuk mund të jetë pronar i një hoteli se me rrogën si kryetar bashkie ende nuk është aq i pamend sa të shkojë dhe të regjistrojë pronësinë e një hoteli.

Por Erion Veliaj ka shokët e tij, bashkëpunëtorët e tij, të cilët regjistrojnë pronat në emër të tyre, por edhe ata diku janë treguar më të kujdesshëm dhe i kanë fshehur në emër të personave të tretë dhe të katërt, me të cilët kanë shpërndarë pasuri, kompani, leje ndërtimi, bujtina, vila dhe deri në apartamente apo pallate.

 Kantieri i ndërtimit të hotelit nga kompania Mediterranean Investment Group në Durrës

Erion Veliaj në fakt nuk është aksioner i hotelit në Durrës, por është pronari faktik i drejtorëve hajdutë të kapur nga SPAK-u.

Po, ai është pronari, sepse ai është kryetari i bashkisë që i ka emëruar dhe i ka bashkëpunëtorët më të ngushtë, i ka pasur flakë e zjarr në fushatë elektorale, njerëzit kryesorë të shtabit të tij, njerëzit që ka qarkulluar nga drejtoria në drejtori, njerëzit që kanë pasur në duar miliona e miliona euro në institucionet në varësi të Bashkisë së Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, me përgjegjësi ligjore dhe me firmë, është Erion Veliaj, dhe po ai është pronari faktik i drejtorëve, të cilët kanë në pronësi hotele, vila në emër të tyre, në emër të vëllezërve apo familjarëve që kanë hapur kompanitë, pasi ka ardhur PS-ja në pushtet, apo të tjerë që kanë filluar të bëjnë biznese në emër të vëllezërve drejtorë pas viteve që Veliaj ka marrë Bashkinë e Tiranës, duke shpërndarë tenderë, fituar para, e kështu me radhë.

 

Erion Veliaj, në fakt, është pronari faktik i drejtorëve që janë aksionerë, që kanë vëllezërit pronarë apo kanë fshehur pasuritë në emër të të tjerëve, ashtu sikundër Erion Veliaj është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës që e ka mohuar gjithmonë.

Tashmë këto akuza të bëra publikisht dhe politikisht po na tregojnë gjithmonë e më tepër se Erion Veliaj është pronari faktik i shumë aferave, skandaleve, bëmave dhe gjëmave në kryeqytet, megjithëse përpiqet të fshihet në emrat e disa drejtuesve, të cilët është ai që i ka zbuluar, i ka nxjerrë, i ka mbështetur, i ka komanduar, i ka emëruar, i ka dhënë dhe firmën apo bekimin, kuptohet si pronari faktik i tyre, që të bëjnë zullumet dhe të përfundojnë pas prangave me urdhër të SPAK-ut, me akuza korrupsioni, fshehje pasurie, vjedhje, etj.

Prandaj, ashtu si me rastin e inceneratorit, edhe me dosjen “5D”, çdo akuzë politike e drejtuar deri më tani ndaj Erion Veliajt si pronari faktit ka përballë kryetarin e bashkisë dhe vartësit e tij që urdhërohen prej tij, që janë ushtarët e tij, që janë stafi i tij i ngushtë, të cilët i shërbejnë kryebashkiakut në detyrë, Erion Veliaj, dhe pronarit faktik./

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco