VIDEO/ Berisha: Beteja për Teatrin, beteja e një pseudoartisti kundër artistëve të vërtetë

20:06, 27/03/2024

Lideri i opozitës, Sali Berisha, në ditën e 86 të tubimit qytetar në mbështetje të tij, tha se kjo protestë nuk mund të ketë simbol, shenjë më të shenjtë se sa qëndresën e pashembullt në historinë e Europës të një grupi artistësh për teatrin e kombit.

Berisha tha se beteja e tyre për teatrin e kombit në të vërtetë është betejë e çdo shqiptari që e ndjen veten shqiptar.

“Është betejë e çdo qytetari që e ndjen veten qytetar.  Është betejë e të gjithë atyre që besojnë se kultura dhe identiteti janë shpirti i kombit, janë shpirti i shoqërisë dhe i vendit.  Qëndresa e tyre më e jashtëzakonshmja e regjistruar ndonjëherë është një betejë të cilën ne kurrë nuk mund dhe nuk duhet ta humbasim”, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e liderit të opozitës

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, nderimin më të madh për ju, qëndrestarë të pamposhtur, luftëtarë të kauzave të drejta, misionarë të vërtetë të dinjitetit dhe shpresës së shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të mrekullueshëm, të cilët kanë shndërruar këtë platformë, në burim të pashterrshëm drite për mendjet dhe zemrat e shqiptarëve.

Një burim të pashterrshëm të të vërtetave të mbulohen me terrin e propagandës së regjimit monist.

Të dashur miq, sot kjo protestë nuk mund të ketë simbol, shenjë më të shenjtë se sa qëndresën e pashembullt në historinë e Europës të një grupi artistësh për teatrin e kombit.

Beteja e tyre për teatrin e kombit në të vërtetë është betejë e çdo shqiptari që e ndjen veten shqiptar.

Është betejë e çdo qytetari që e ndjen veten qytetar.

Është betejë e të gjithë atyre që besojnë se kultura dhe identiteti janë shpirti i kombit, janë shpirti i shoqërisë dhe i vendit.

Qëndresa e tyre më e jashtëzakonshmja e regjistruar ndonjëherë është një betejë të cilën ne kurrë nuk mund dhe nuk duhet ta humbasim.

Teatri dhe kultura janë flamujtë për të cilët luftohet, sakrifikohet çdo gjë për fitoren e tyre.

Miqtë e mi, Tirana është sot kryeqyteti i vetëm dhe Shqipëria është sot shteti i vetëm pa një teatër kombëtar, sepse një shpirtrrënuar, pseudoartist, duke parë veten e tij të pakrahasueshëm me artistët e vërtetë, bëri një betejë të egër çnjerëzore se si e si t’i shfaroste ata.

Beteja kundër teatrit është beteja e pseudoartistit kundër artistëve të vërtetë.

Por beteja kundër teatrit nuk është vetëm kaq.

Është beteja e korrupsionit, e drogës kundër kulturës dhe teatrit tonë.

Në qoftë se e shohim me gjakftohtësi, droga, korrupsioni rrafshoi teatrin, gjë të cilën nuk e bënë as pushtimet më barbare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco