Skandali në spitalin psikiatrik të Vlorës, prindi: Fëmijën e kanë rrahur, vjedhin ndihmat që çojmë

22:23, 29/09/2023

Spitali Psikiatrik i Vlorës është në fokusin e ‘Piranjave’ prej 3 javësh. Një investigim i plotë dhe me të gjitha faktet për sa i përket kushteve skandaloze dhe situatës së vështirë në të cilën ndodhen pacientët. 

Javën e parë u publikuan kushtet skandaloze të spitalit psikiatrik të Vlorës. ‘Piranja’ Kamila Xhakaj arriti të futej brenda për të demonstruar me prova dhe fakte gjendjen e tmerrshme, të ngjashme me kampet e përqëndrimit, që ishte te ky spital.

Mjekët e denoncuan vetë këtë situatë duke vënë theksin te zyrtarja më e lartë e këtij institucioni. ‘Drejtoresha Olta Ganaj nuk do t’ia dijë për pacientët dhe spitalin. Nuk e vret mendjen. Gjendja është skandaloze dhe shumë e vështirë. Pacientët po trajtohen si kafshë. Qëndrojnë 51 persona në një ambient që është për 15 vetë. Nuk ka kushtet më minimale për të qëndruar. Është vetëm një dush funksional për 51 persona. Nuk ka shampo, lahen vetëm me sapun. Futen si bagtitë brenda të gjithë lakuriq. Të sëmurve duhet t’u respektohet dinjiteti i tyre njerëzor. Ushqimi është skandaloz, nuk u jepet as kafshëve. U përzihet supa, sallata në një pjatë. Nuk kabatanije dhe veshmbathje. Duket sikur të sëmurët janë në kampet e përqëndrimit të nazistëve. Kanë plasur dhe suicidet (vetëvrasjet) nuk merret asnjë masë’, shprehet një nga mjeket e spitalit.

Në javën e kaluar treguam se menjëherë pas transmetimit të pamjeve të frikshme që vërtetonin çdo fjalë të mjekëve, drejtoresha Olta Ganaj mori menjëherë masa, për të zhdukur gjurmët. Pa kaluar 24 orë nga transmetimi i kronikës, mëngjesin e së shtunës, me datë 16 shtator, një grup pune i urdhëruar prej saj nisën pastrimin e ambienteve të repartit kronik. Zëvendësimin e dysheqeve dhe bravave të dyerëve duke u munduart’i japë një pamje më të pranushme gjendjes në spital.

Drejtoresha Olta Ganaj kishte urdhëruar një mbledhje emergjente me stafin ditën e shtunë për të marrë masat ndaj tyre se kush ishte personi që kishte denoncuar gjendjen alarmante. ‘Piranjat’ u njoftuan në lidhje me këtë takim dhe Kamila Xhakaj ndërhyri në mes të mbledhjes duke e ballafaquar drejtoreshën me të gjitha faktet. Zonja Ganaj nuk ishte në gjendje të jepte asnjë përgjigje, por u mundua të shmangej. ‘Nuk mund të flas. Nuk mund të them asgjë në lidhje me këtë situatë. Po na prishni mbledhjen që kam me stafin, po shqetësoni të sëmurët, ju lutem, më lini’.

Nisur nga kronika e transmetuar dhe persona të tjerë kanë kontaktuar për të treguar gjendjen e spitalit. Prindi i një pacienti që ka mbi 20 vite që ka fëmijën në atë spital tregon vuajtjet. ‘Kam mbi 20 vite që fëmija im është në spital. Kushtet janë shumë të vështira, aq skandaloze sa keni transmetuar ju. Aty pacientët keqtrajtohen, e kam gjetur disa herë fëmijën tim me shenja dhune, jo vetëm njëherë. Nuk kanë kujdes. Unë çoj dy here në vit batanije të reja dhe kostume, shapka për çdo stinë. Nuk i gjej asnjëherë, nuk e di ku shkojnë’, thotë ndër të tjera ky prind.

Po ashtu një anëtare e stafit tregon terrorin e shkaktuar nga drejtoresha pas publikimit të historisë: ‘Drejtoresha pasi u transmetua nuk reflektoi për të përmirësuar gjendjen, por nisi terrorin kundrejt stafit. Donte të gjente se kush ka bashkëpunuar me ‘Piranjat’. Tentoi të na merrte telefonat, disa ia dorëzuan nga frika, disa jo. Ka nisur terrori’, tha ndër të tjera ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco