Gazetarët e Diasporës thirrje klasës politike për një tryezë teknike mbi variantet e votimit nga jashtë

Gazetarët e Diasporës thirrje klasës politike për një tryezë teknike mbi variantet e votimit nga jashtë

17:36, 28/09/2023

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës me anëtarë në Zvicër, Francë, Itali, SHBA dhe Kanada i bashkohen betejës për Votën e Diasporës ku nevojiten propozime konkrete për të promovuar mënyrën sesi mund të votojnë shqiptarët me vendbanim jashtë. 

Përfaqësues të këtij Unioni gazetarësh kanë nisur një cikel takimesh dhe kontaktesh me politikanë ta lartë në Shqipëri jo më për t’i sensibilizuar për votën e Diasporës sepse koha nuk pret, por për t’i vënë përpara përgjegjësive  se çfare plani konkret kanë në këtë drejtim.

Ligji shqiptar i ka fiksuar qeverisë si afat të fundit muajin janar 2024 për të shpallur modalitetet e votës së Diasporës nëse synohet pjesëmarrja e saj në  zgjedhjet legjislative të 2025.

Pasiviteti i Qeverisë kur kanë mbetur tre muaj na shkakton një frikë serioze për sa i përket sinqeritetit të saj nëse e dëshiron apo ajo ta shohë Diasporën të votojë. 

Konstatojmë se shumë zhurmë po bëhet dhe shumë para po hidhen në mondanitete  por propozime konkrete nuk po shihen në mënyrë që të materializohet një paketë ligjore për votën e Diasporës.

Qeveria bën sikur vepron nëpërmjet pranive diplomatike jashtë, nëpërmjet përzgjedhjes së disa eksponentësh ambasadash që kurrësesi nuk mund të përfaqësojnë Diasporën, nëpërmjet emërtimeve zhargonuese si « Ambasador i Kombit » apo « Koordinator i Diasporës », nëpërmjet financimit të disa mediave të ngritura në Diasporë, por realiteti është kokëfortë : katër muaj para mbylljes së afateve ligjore për mbylljen e paketës ligjore sesi do të administrohet vota e Diasporës asnjë propozim ligjor konkret nuk po shpallet. 

Ndaj pyetja që ne sjellim nga Diaspora dhe që asnjëherë nuk është shtruar në tryezat e politikës është: a ka një platëformë konkrete klasa politike në Shqipëri si ajo në pushtet dhe ajo në opozitë në lidhje me variantet e ndryshme që mund të egzistojnë për votimin nga jashtë shtetit.

Këtë pyetje ja bëmë fillimisht zotit Berisha si përfaqësues i grupit më me shumë deputetë të Opozitës në Parlament , një grup që ka domosdoshmërisht përgjegjësinë më të madhe për mbrojtjen e votës së Diasporës si në ideal ashtu dhe në praktikë. Ai na siguroi se Opozita e tij nuk e ve në diskutim domosdoshmërinë që Diaspora të jetë e pranishme me votë në zgjedhjet e ardhshme legjislative dhe se depututët e grupit të tij do të aprovojnë çdo paketë ligjore që do të garantonte votën e Diaporës jo vetëm të  lirë por dhe sa më të thjeshtë.

Në këtë kontekst, ne gazetarët shqiptarë të Diasporës të UGSHPD-së, i lëshojmë sot një tthirrje gjithë spektrit politik shqiptar, atij parlamentar  si dhe atij që nuk ka përfaqësues në parlament që të mblidhet me një nga një përfaqësues secili në një tryezë kombëtare të Votës së Diasporës . Unioni ynë i gazetarëve të Diasporës propozon ta monitorojë këtë tryezë e cila nuk do të duhet të jetë politike por teknike. Politikisht, të gjitha partitë në Shqipëri janë dakordësuar se Diaspora duhet të votojë më 2025. Le të kalojmë në vepra konkrete. Tryeza e përbashkët e punës duhet të diskutojë për mënyrën më optimale dhe më të sigurt të të votuarit nga jashtë, duke përfshirë dhe mënyrën  e hartimit të listave të zgjedhësve, apo atë të monitorimit , kontrollit dhe numërimit të votës së Diasporës në të dyja variantet , atë  fizik dhe elektronik. Ne kemi kompetencën e duhur për ta monitoruar këtë tryezë. Mbi të gjitha ne kemi vullnetin dhe legjitimitetin e duhur sepse bëhet fjala për votën TONË.

Së fundi ne kërkojmë dhe ndryshim fjalori. Shpesh klasa politike dhe mediat përdorin shprehjen “vota e emigrantëve” në vend të shprehjes « vota e Diasporës ». Fjala « emigrant » në këtë rast përveç se nuk tingëllon bukur nuk është e drejtë dhe nga pikepamja ligjore. Shumë nga ne kemi krijuar familje jashtë shtetit, kemi femijë në moshë për të votuar, fëmijë që kanë lindur jashtë të cilët nuk mund të konsiderohen si emigrantë . Fjala « Diasporë » është më e duhura që i përshtatet të gjitha rasteve.

Shpresojmë se politika shqiptare do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për një tryezë kombëtare për Votën e Diasporës rezultatet e të cilës të shpallen jo më vonë se data e festës kombëtare të 28 Nëntorit .

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco