INTERVISTA/ 'Rrëfimi' i Nard Ndokës!

INTERVISTA/ 'Rrëfimi' i Nard Ndokës!

17:22, 16/07/2023

Nard Ndoka, politikan, kryetar i Partisë Demokristiane, vjen në një intervistë ekskluzive me kryeredaktorin e Syri.net, ku ka folur për pasionet e tij, punën (politikën), familjen dhe marrëdhënien me librin dhe ‘memet’.

Ndoka ka rrëfyer për herë të parë arritjet e tij në detyrën e ministrit të Shëndetësisë, ‘disfatën’ e demokristianëve në veri të vendit dhe rritjen e socialdemokratëve të PSD, të cilën ai e quan si rritje artificiale dhe jo si një model politik. “PSD është rritur në mënyrë artificiale, jo si alternativë politike, por si një koorporatë fitimprurëse biznes politik, si modeli më i keq i lidhjes politike me aferat e biznesit.”- thotë Ndoka.

Ai ka folur gjithashtu edhe për politikanët shqiptarë, me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite, ndër të cilët Sali Berisha, për të cilin shprehet se është i vetmi burrë shteti, për Edi Ramën të cilin e quan pragmatist dhe këmbëngulës në budallallëkun e tij. “Si Kryeministër është dhe mbetet një zhgënjim i madh, në çdo drejtim, si shtetar, si politikan, si njeri, se burrë shteti nuk u bë kurrë.”- shprehet ai për kryeministrin Rama me të cilin ka bashkëpunuar si opozitar.

Nuk mund të mungonte edhe pyetja për batutat dhe memet në rrjetet sociale, në cilat Ndoka është një personazh tepër i njohur dhe ndër të parët politikanë shqiptarë që ua ka parë atyre edhe qarin edhe qederin.

Për të zbuluar më shumë rreth përgjigjeve të Nard Ndokës, ju ftojmë të lexoni intervistën e plotë:

Z. Ndoka përshëndetje dhe faleminderit që pranuat të jepni këtë intervistë për Syri.net

- Kur ka qenë hera e fundit që keni dhënë një intervistë me shkrim, si kjo që po zhvillojmë bashkë, sepse në televizion jeni i pranishëm shpesh?

Kam dhënë disa herë intervista edhe me shkrim, për gazeta, por edhe portale. Intervista me shkrim mbetet si më klasikja, me mendime të kristalizuara dhe të argumentuara mirë.

- Z. Ndoka, përveç të qenit kryetar i Partisë Demokristiane, me se merreni tjetër?

Kam 32 vite që merrem vetëm me politikë, kurrë me ndonjë punë tjetër, biznes apo diçka tjetër, për faktin se i jam përkushtuar maksimalisht politikës dhe Partisë Demokristiane që unë drejtoj sot. Unë besoj fort, që politika duhet të ndahet nga biznesi, një politikan që vjen nga biznesi bën pis veten dhe politikën, apo akoma me rëndë nëse ai vazhdon të përfitojë nga politika për bizneset e tij.

Image

- Si jeni futur në politikë?

Vij nga shtresa e të persekutuarve politikë nga regjimi komunist, në politikë jam futur në fillimet e levizjeve anti-komuniste, si themelues i Partise Demokratike. Duke marrë një detyrë politike e drejtuese, që në vitin 1991, si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv Pluralist.

Image

- Cila është marrëdhënia juaj me librin? Duke qenë se jemi edhe në sezon vere, çfarë ju pëlqen të lexoni gjatë pushimeve?

Në përgjithësi lexoj, libri më ka shoqëruar që i vogël. Në këtë sezon kam 4-5 libra të miqve, që m’i kanë dhuruar me dedikim dhe e kam obligim t'i lexoj. Kam përzgjedhur edhe 3-4 të tjerë që janë në radhë. Por kam një ves jo të mirë, nuk lexoj shumë kur jam me pushime, jam aktiv më shumë me familjen dhe me not.

- Merreni me sport?

Po, nuk jam shkëputur kurrë nga sporti, me të gjitha llojet e sporteve. Kam luajtur futboll për disa vite, madje futbollist shumë i mirë, sulmues dhe shënues rekord. Luaj sërish kalçeto, volejboll, ping-pong, tenis, basketboll, not, nuk i them jo asnjë grupi shokësh që organizohet për sport.

Image

- Po muzika ju pëlqen, çfarë rryme muzikore dëgjoni më shumë?

Muzika më pëlqen, nuk jam shumë i dashuruar me rryma muzikore të veçanta, dëgjoj çdo lloj muzike. Këngët shkodrane dhe korçare mbeten si dashuri e kohës, këngët italiane të viteve 70'-80' janë preferencë akoma. Pëlqej ata këngëtarë që kur i dëgjon arrin t'i njohësh nga zëri nga stili, si Aleksandër Gjoka për shembull.

- Ju jeni politikan në karrierë. Disa herë keni qenë përcaktues për forcën politike që ka qeverisur vendin. Si ndiheni sot që në veri të vendit, ku forca juaj politike ka qenë konkuruese, peshën tuaj e ka zënë socialdemokratia? E kam fjalën për PSD-në që ka dalë forcë e parë dhe e dytë në shumë bashki të veriut.

Është një fenomen i trishtueshëm, kur e mendon se, alternativa demoktistiane ka mbizotëruar në veri, por ka qenë prezent dhe përfaqësuese në të gjithë Shqipërinë dhe sot shohim një parti të fryrë nga biznesi i lidhur me pushtetin keqas duke prishur dhe deformuar çdo balancë e përfaqësim.
PSD është rritur në mënyrë artificiale, jo si alternativë politike, por si një koorporatë fitimprurëse biznes politik, si modeli më i keq i lidhjes politike me aferat e biznesit.
Deformimi i përfaqësimit politik, blerja e votës, presioni, shantazhi, është futur dhunshëm në veri, duke dëmtuar rëndë standartet dhe demokracinë përfaqësuese. Zgjedhjet e fundit treguan se blerja e votës shembi zgjedhjet, krijoi një precedent të rrezikshëm që duhet të “kurohet” me metoda ekstra politike.

- Në gjykimin tuaj, çfarë sistemi i shkon për shtat Shqipërisë?

Një sistem propocional kombëtar pa prag, me lista të hapura ose një sistem propocional rajonal me gjashtë zona të barabarta.
Sistemi Zgjedhor aktual është pengesa më e madhe e përfaqësimit real të vullnetit të qytetarëve dhe në thelb është anti-kushtetues.

- A keni menduar ndonjëherë të ikni nga politika?

Po, e kam menduar seriozisht, në momentin kur njoha se kush është realisht Lulzim Basha. Politikani më i poshtër dhe më i pabesë, që kam njohur në 32 vite pluralizëm.
Lulzim Basha do mbetet “non grata” përjetësisht me Demokristianët shqiptarë, se na përjashtoi nga përfaqësimi, duke shkelur në mënyrë të pa besë marrëveshjen politike.


- Po nga Shqipëria, keni menduar të largoheni?

Nga Shqipëria nuk largohem, por nuk kam mundur të ndaloj fëmijët e mi që të largohen. Një vend që po humb shpresën për të jetuar çdo ditë e më tepër, një tmerr kur e mendon. “Rilindja” mbetet një fatkeqësi kombëtare, sipas gjykimit tim Rama ka hartuar politika të qëllimshme për demotivimin e rinisë për të jetuar e punuar në Shqipëri.

- Ju keni qenë ministër i Shëndetësisë, mund të na bëni një krahasim mes shëndetësisë në kohën tuaj dhe sot?

Të them të drejtën kam ndjekur çdo veprim me detaje në atë Ministri. Tmerr kur mendon, apo e krahason qoftë edhe me atë periudhë të shkurtër që unë e kam drejtuar. Kam futur për herë të parë termin dhe realitetin e menaxhimit të institucioneve shëndetësore, në çdo spital u vendosën menaxher spitalor, duke rritur përfomancën dhe standartin e shërbimeve. U miratua ligji bazë për funksionimin e Sistemit Shëndetësor dhe financimin e sigurimeve shëndetësore, ku operohej me një ligj sovjetik të vitit 1963. U miratua strategjia kombëtare për sistemin shëndetësor për 10 vite, i shoqëruar për herë të parë me një kosto financiare të detajuar. Spitali Universitar “Nënë Tereza” mori një vëmendje maksimale, u ndërtua një spital modern me gjashtë kate i pajisur me të gjitha pajisjet shëndetësore, me financim të qeverisë shqiptare dhe Këshillit të Europës, si dhe u miratua projekti për modernizimin dhe ristrukturimin e të gjithë rrjeteve spitalore brenda QSUT, me tre faza. Shpallja e spitalit “Shefqet Ndroqi”, si Spital Universitar Rajonal vetëm për Tiranën, ku u realizua një investim me financim grand nga Qeveria Austriake, duke e shndërruar në një spital modern dhe të pajisur me të gjitha pajisjet shëndetësore përfshirë edhe skanerin, i cili përballoi totalisht pandeminë. U ndërtua një spital i ri super modern, në Kavajë, financim nga Banka Islamike. U ndërtuan 380 ambulanca dhe qendra shëndetësore, në çdo Komunë e Bashki në vend, me pajisjet shëndetësore të kompletuara, me financim të Bankës Botërore. U fut për herë të parë Telemjekësia, biblioteka elektronike me akses për çdo libër dhe revistë në fushën e mjeksisë. U nënshkruan 13 marrëveshje  me vendet e BE, Japoninë e Britaninë e Madhe, për specializimin e mjekëve dhe kurimin e pacientëve që nuk mund të trajtoheshin në sistemin tonë shëndetësor. Në mënyrë specifike me Shtetin e Vatikanit, u nënshkrua një marrëveshje për trajtimin e të gjithë femijëve nën moshën 16 vjeç për të gjitha llojet e sëmundjeve, që sistemi ynë nuk mund t'i ofronte shërbim të kualifikuar.
Konkuruam me një projekt për modernizimin dhe ristrukturimin e Urgjencave në të gjithë Shqipërinë, ku fituam një grant nga Qeveria e Japonisë. Kontakte dhe vizita zyrtare me homologet e disa vendeve Maqedoni, Kosovë, Greqi, Turqi, Itali, Gjermani, Angli dhe Skoci, të shoqëruara me marrëveshje dypalëshe, me interesa jetësore për sistemin tonë shëndetësor.

Image

- Çfarë bëri “Rilindja”?

Hapi një gropë korruptive duke e zhytur sistemin shëndetësor në kolaps, me PPP e koncesione për shërbime që nuk kanë qenë kurrë probleme të sistemit. Një qeveri e majtë, që premtoi mirë-menaxhim, afroi politika ekstreme të djathta duke privatizuar dhe shembur sistemin bazë funksional. Disa shërbime krijuan një hendek të madh, privatizimi i Laboratorit, shembi kërkimet shkencore, zhbëri praktikat e studentëve laborantë. Krijoi një frymë përjashtuese dhe denigruese ndaj elitës së mjekësisë dhe personelit mjekësor, duke i detyruar të braktisin sistemin dhe vendin. Asnjë marrëveshje për specializim të mjekëve për 10 vite, asnjë ministër shëndetësie nuk ka vizituar vendin tonë për 10 vite. Sot kemi një sistem shëndetësor që është zhytur në korrupsion, degradim të mjekëve dhe infermierëve, mungesa në barna, mungesa në sherbimet bazë dhe ato jetësore. Më keq se kaq, nuk ka qenë kurrë ai sistem.

- Z. Ndoka ju jeni nga të parët që kuptuat forcën e rrjeteve sociale. I keni përdorur ato, por ka pas raste edhe ju kanë veshur gjëra që ju as i keni thënë as i keni bërë. Cila është batuta/meme që ju ka pëlqyer më shumë, por që nuk është e juaja, po ua kanë veshur në rrjet?

Rrjetet sociale janë një eksperiencë e re për të gjithë, në fillim si bezdi dhe trillim, por sot ato janë kthyer në një pushtet të fortë mediatik. Unë jam ndër politikanët e parë që i kam përdorur, por edhe jam sulmuar prej tyre, kuptohet me orkestrime dhe sponsorizime politike nga kundërshtarët. Por me durim, stil, humor, batutë e meme i kam kthyer në interesin dhe realitetin normal politik e njerëzor. Batuta që vërtet më ka pëlqyer, që nuk e kam thënë unë, është: "Pirja e duhanit shkurton cigaren". Edhe për faktin se ishte “sulm” nga duhanpirësit, mbasi ligji kundër pirjes së duhanit në ambiente publike, hyri në fuqi kur unë isha Ministër Shëndetësie.

- Keni bashkëpunuar me Sali Berishën gjatë. Cili është mendimi juaj për të?

Sali Berisha mbetet i vetmi Burrë Shteti, në kuptimin e plotë të fjalës. Bashkëpunues dhe i drejtpërdrejtë në qeveri si Kryeministër, i hapur dhe tolerant si Lidër Opozite, politikan i fjalës.
Edhe kur je përballë tij, si kundërshtar politik, Sali Berisha ka një standard, ka një masë që nuk e ka tejkaluar kurrë.

Image

- Ju gjithashtu keni bashkëpunuar ca kohë edhe me Edi Ramën. Ç’mendoni për të sot?

Me Ramën kam bashkëpunuar vetëm në Opozitë, duhet të tregohem realist, ai është një politikan këmbëngulës, pragmatist i lindur dhe i kristalizuar, i qartë në budallëkun e tij. Si Kryeministër është dhe mbetet një zhgënjim i madh, në çdo drejtim, si shtetar, si politikan, si njeri, se burrë shteti nuk u bë kurrë.

Image

- Çfarë këshille do t’i jepje Edi Ramës sot?

Një dorëheqje e parevokueshme nga politika do ishte një lajm i mirë për politikën, për vendin, për Kombin, për ndërkombëtarët, por edhe një standard për të gjithë të tjeret në dy krahet.

- Së fundi, SPAK po kërkon arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. A keni ju një këshillë për Ahmetajn?

Nuk kam shumë këshilla për ata që “bëjnë pis ligjin”, por një këshillë mund t’ia jap: Të flasë me prova e fakte, si një hallkë e një zinxhiri korruptiv qeveritar duke zbardhur çdo gjë me transparencë të plotë. Më mirë një fund i tmerrshëm, se një tmerr i pa fund.

- Ç’mendim keni për politikën kosovare dhe zhvillimet e fundit atje?

Politika kosovare është një hap para nesh, në aspektin e respektimit të ligjit, të institucioneve, ka nje sistem zgjedhjesh model dhe përfaqësues. Ka nje demokraci funksionale dhe një përgjegjësi politike shumë të madhe në raport me qytetarët dhe vendin.
Zhvillimet e fundit janë mjaft delikate, në raport me pavarësinë dhe faktorin ndërkombëtar.
Është domosdoshmeri një klimë bashkëpunimi midis qeverisë e opozitës dhe institucioneve në tërësi. Presidentja e Kosoves duhet të marrë një rol mbi palët për të drejtuar këtë proces të rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por për gjithë Kombin Shqiptar.

- Z. Ndoka, ju jeni konservator apo liberal?

Une jam konservator, përfaqësoj alternativën politike Kristiane, mbroj vlerat e saj europiane në Shqipëri, mbroj vlerat e familjes tradicionale, pronën, Kombin e Atdheun.

- Në këtë kontekst, në mbyllje të kësaj interviste, mund të më thoni ç’është familja për ju? Ç’vend i jepni ju asaj personalisht dhe në shoqëri?

Familja është qeliza e një Kombi, familja për mua është gjithçka, e shenjtë, e paprekshme dhe e bekuar!

Z. Ndoka faleminderit për intervistën!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco