‘Duam nga ajo e hundës’ Zbardhet dosja e ‘Arushkës’.... Në gjyq furnitorët me kokainë të Korçës

‘Duam nga ajo e hundës’ Zbardhet dosja e ‘Arushkës’.... Në gjyq furnitorët me kokainë të Korçës

16:13, 18/12/2022

Prokuroria e Korçës, i ka dhënë fund hetimeve për 24 persona të arrestuar, si pjesë e një grupi që shpërndanin kokainë në qytet.

Dominancën brenda grupit, e kishte në tregtinë e kokainës dhe drogërave të tjera, Romeo alias Ilir Starovecka me pseudonimin “Arushka” dhe Erion Demolli, i dënuar në 2010 me 3.4 vjet burgim për drogë.

Demolli, rezulton të jetë dënuar për akuzën e drogës dhe në Frankfurt të Gjermani dhe në muajin qershor 2022, prokuroria e Korçës i sekuestroi hotelin “Tree Hotel”.

Në dosjen hetimore tregohet se Ilir Starovecka, tregtonte kokainë, hashash dhe heroinë, dhe në banesën e tij në Korçë u gjend dhe sasia e parave dhe një pjesë e drogës.

Nga përgjimet e kryera ka rezultuar se Erion Demolli, në rolin e organizatorit, drejtonte, organizonte, zhvillonte dhe mbikëqyrte aktivitetin e shpërndarjes të drogave të llojit heroinë dhe kokainë.

Në bisedat telefonike përdornin kodin "…ajo e hundës…”, tek persona të ndryshëm në rrethin e Korçës, duke nënkuptuar drogën. Gjatë bisedave të përgjuara ka rezultuar se aktiviteti i këtyre shtetasve në drejtim të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve ka qenë tepër i shtuar.

Ku fillonte çdo ditë që në orët e para të mëngjesit dhe vijonte deri në orët e vona të natës. Përdoruesit e lëndës narkotike si nga qyteti i Korçës apo edhe nga fshatrat përreth, si dhe nga Maliqi, komunikonin me poseduesit e lëndës narkotike dhe porosisnin atë.

Dhe më pas porosia u shkonte në adresën e kërkuar kundrejt pagesës. Në rastet kur disa prej përdoruesve nuk kishin mjaftueshëm para për të paguar për sasinë e kërkuar, vepronin duke lënë peng sende personale apo objekte me vlerë, si telefona celularë, ora, unaza, varëse floriri, deri edhe automjete.

Pagesa varionte nga doza më e vogël 2000 lekë të vjetra deri tek ajo më e madhe në 100 mijë lekë të vjetra dhe më tepër.

Si të përfshirë në këtë biznes të paligjshëm, policia ka arrestuar dhe disa persona që ishin pjesë e administratës shtetërore dhe spitaleve në Korçë e Devoll.

Nga hetimi u provua se grupi kishte aktivitet të zgjeruar dhe si territor që zhvillonin aktivitetin kriminal, ishte lagja nr. 17 në Korçë, ose siç njihet ndryshe si "Radance".

Në dosjen e akuzës rezulton se një banesë që ndodhej afër “Shtëpisë së Muzikës”, përdorej si bazë nga Erikens Frashëri ose siç thirrej ndryshe me nofkën “Qorri”.

Një nga banorët e saj, Erikens Frashëri, ishte vënë në monitorim nga policia, nga ku u zbulua më pas baza. Nga vëzhgimi, policia ka kuptuar se Erikens Frashëri, shpërndante kokainën dhe në disa fshatra të Korçës.

Por “Qori” dhe “Arushka”, që momentalisht ndodhet në “arrest shtëpie” nuk janë të vetmit në grupin e shpërndarjes së kokainës. Në këtë veprimtari kriminale, kishte hyrë dhe Juxhin Kulla.

Ky person është një emër i njohur për policinë lokale, pasi banesa e tij në shtator 2019, është goditur me armë dhe ende kjo ngjarje vijon të jetë pa autor. Të pandehur janë marrë dhe Rudolf Mara alias “Dolfi”, Olger Hasani, Mateos Aliko alias “Poku”, Romeo Beluli, Klajdi Avramushi dhe shumë persona të tjerë, ndaj të cilëve dosja ka kaluar për gjykim.

Sipas dosjes që disponon “Ora News”, çështja që fillimisht ka nisur nga ana e Krimeve të Rënda dhe SHÇBA-së, për një linjë trafiku kokaine, nga Maqedonia në Elbasan dhe më tej në Korçë e Greqi, ka pasur mes fletëve të saj, emra të njohur të botës së krimit dhe një punonjës të policisë Korçë.

Polici shërbente në atë kohë si specialist në sektorin e hetimit të Krimeve të Rënda.

Por kishte të dhëna se ishte i implikuar në tregtinë e drogës në qytet dhe trafikun e kokainës, drejt Greqisë. Në pamundësi për të faktuar “Trafikimin e drogës”, në vitin 2017 pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme SPAK, kjo çështje ju transferua për hetim të mëtejshëm, akuzës së Korçës.

Për shkak të volumit të madh, hetimet në Korçë janë ndjekur nga dy prokurorët Dhorina Theodhori, Olger Eminaj dhe zv/drejtori i Policisë së Qarkur, Ermal Muça.

Sipas të dhënave të grumbulluara dyshohej se punonjësi i policisë, për kryerjen e këtij aktiviteti kriminal bashkëpunonte me persona të tjerë, mes tyre dhe Romeo Starovecka, “Arushka”.

Këta dy persona dhe individë të tjerë, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, fillimisht lëndën narkotike të llojit kokainë dyshohej se e importonin nga Maqedonia në Shqipëri.

Kokaina dërgohej në qytetin e Elbasanit, ku e ndanin në doza më të vogla, e më pas e ofronin për shitje në qytetin e Korçës dhe Elbasan.

Në dosjen hetimore thuhet se të njëjtit persona bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për trafikimin e lëndës narkotike të llojit kokainë edhe në drejtim të Greqisë./Ora news/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco