Vrasja e 34-vjeçarit/ Indrit Ndoj foli me nënën e tij para ekzekutimit

Vrasja e 34-vjeçarit/ Indrit Ndoj foli me nënën e tij para ekzekutimit

09:12, 22/10/2022

Një 34-vjeçar u gjet i vrarë mëngjesin e së premtes në zonën e Fushë Krujës, në rrethana ende të paqarta. Viktima u identifikua nga familjarët si Indrit Ndoj, i cili u gjet i vdekur në një rrugë dytësore si pasojë e një plumbi me armë zjarri. Trupi i pajetë u gjet rastësisht nga familjarët rreth orës 08:20 në lagjen “Bakushe Visha”, në një kanal të rrugës dytësore. Nga kryqja paraprake e trupit, u zbulua se 34-vjeçari kishte një dëmtim në këmbë, që dyshohet të jetë shkaktuar nga një armë zjarri.

Burimet thanë se i riu ka marrë vetëm një plumb që i ka prekur arterien kryesore çka ka rezultuar fatale për të.

Indrit Ndoj, sipas dëshmive mbrëmjeve qëndronte në banesën e një të afërmi të larguar në emigracion në fshatin Hasan të Krujës pasi ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa familja e tij jetonte në Fushë Krujë. Rrethanat mbeten të paqarta, por dyshimet janë se Indrit Ndoj është qëlluar gjatë natës dhe nga një distancë e afërt për arsye ende të panjohura për organet e hetimit.

Dinamika dhe motivet e vrasjes së 34-vjecarit po ashtu mbeten të paqarta. Indrit Ndoj rezulton person me precedentë penalë. Shtatorin e kaluar, ai u ndalua bashkë me Enea Babasin duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Familjarët e të riut kanë dyshime se Indrit Ndoj mund të jetë vrarë diku tjetër dhe më pas trupi i tij është hedhur në zonën ku u gjet për të fshehur vendin e krimit. Mungesa e biçikletës me të cilën thuhet se ai lëvizte vazhdimisht, forcon dyshimet e tyre. Ekspertët e Policisë ende nuk kanë arritur në përfundime, ndërsa morën prova në vendngjarje që mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së 34-vjeçarit.

Personi i fundit që ka komunikuar me 34- vjeçarin ka qenë nëna e tij, e cila tha për oficerët e Policisë se ka folur me të birin pasditen e djeshme. Nëna ka deklaruar se ka pyetur të birin nëse do të shkonte në shtëpi në mënyrë që t’i bënte bukën, dhe 34-vjeçari i ka thënë se do të vijë, shkruan Panorama.

Nëna tha gjithashtu për oficerët e Policisë se familja e tyre nuk ka asnjë konflikt, as një lagje dhe me askënd tjetër. Kjo e bën edhe më të vështirë punën e autoriteteve për zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorit apo autorëve të përfshirë në ngjarje.

Grupi hetimor bën me dije se nga kompanitë telefonike janë kërkuar gjithashtu tabulatet në mënyrë që të zbulohen personat me të cilët i riu ka kontaktuar para se të ekzekutohej.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco